Mbrëmjen e së enjtes, Kuvendi i Shqipërisë ka zgjedhur Endrit Shabanin si Avokatin e ri të Popullit, pas një seance të tensionuar dhe një procesi zgjedhor që solli polemika të shumta. Pas humbjes, Adriana Kalaja, e cila ishte gjithashtu një nga kandidatët për këtë post, ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, ku ka theksuar se kontributi i saj u injorua dhe u shkel nga të dyja palët politike, si Partia Demokratike ashtu edhe nga kryetari i saj, Sali Berisha.
Në reagimin e saj, Kalaja ka kritikuar faktin se kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në seancën e votimit, duke sugjeruar se ky veprim kishte të bënte me një frikë se mund të kishte një votë për të. Ajo shkruan se Rama “kishte frikë mos rridhte një votë” në favor të saj, duke sugjeruar se votimi i djeshëm ishte ndikuar nga një strategji politike dhe jo një proces tërësisht objektiv.
Reagimi:
Fitorja ime e rradhës……
Fakti që Kreu i Organizatës Kriminale, ngrihet e shkon në Kuvend për të çuar deri në fund “marëveshjen” me PD dhe opozitën, nga frika se mund t’i rridhte 1 votë pro meje, është fitorja ime e rradhës.
Nga ana tjetër, 69 vota kundër të banditëve të tij me urdhër, tregon frikën e tij jo ndaj meje, por ndaj emrit dhe kontributit tim, kontribut në fakt që e shkeli si Partia Demokratike ashtu edhe Z. Berisha, përsa kohë pranoi marëveshjen me sorosistin Shabani.
Ironia e fatit është se janë po kaq vota, sa u zgjodh ushtarja e Ulsiut Arta Marku, Prokurore e Pushtetit të Padrejtësisë.
Ndërkohë, dua të shpreh gjithë mirënjohjen time të pafundme, për mbështetjen e jashtëzakonshme të Popullit, i cili me “referendum” më zgjodhi Avokat të Tij.
Me gjithë se sot jam jashtë funksioneve të mia në PD, zotohem se do vijoj të jem Avokat I Popullit dhe se do e çoj deri në fund betejën time ndaj narko regjimit.
PS: Unë nuk kam fuqinë e banditit Kryeministër, megjithëse ai tregoi frikën ndaj meje, por dosja McGonigal, grabitja e pronës së Surrelit dhe Irenës me 300 mbiemra, i janë dërguar Senatit dhe Kongresit Amerikan si dhe Ambasadës së SHBA-ve.
