Një operacion i gjerë antimafia ka goditur një rrjet të dyshuar kriminal që kishte ngritur një sistem financiar të paligjshëm për qarkullimin dhe pastrimin e miliona eurove. Aksioni i koordinuar nga autoritetet italiane është shtrirë në Itali, Spanjë dhe Zvicër, duke çuar në 30 masa sigurie dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 21 milionë euro.

Hetimet e Guardia di Finanza-s, nën drejtimin e Prokurorisë Antimafia të Milanos, kanë zbuluar një strukturë që funksiononte si një bankë paralele në shërbim të krimit të organizuar.

Sipas hetuesve, rrjeti dyshohet se kishte krijuar fatura fiktive në vlerën e mbi 110 milionë eurove, ndërsa rreth 68 milionë euro të tjera ishin përfshirë në operacione të dyshuara pastrimi parash përmes kriptomonedhave.

Në dosje përmenden persona të lidhur me organizatat mafioze italiane ‘Ndrangheta, Camorra dhe të ashtuquajturën “Mafia e Katërt”, që vepron në zonën e Foggias. Raportimet mediatike flasin edhe për bashkëpunëtorë shqiptarë dhe kinezë, por nuk janë bërë publike identitetet apo rolet e tyre konkrete.

Nga 30 personat ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie, 16 janë dërguar në paraburgim, ndërsa 14 të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.

Gjatë operacionit janë sekuestruar para të gatshme, llogari bankare, kriptomonedha, automjete, mjete lundruese, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Autoritetet italiane dyshojnë se mekanizmi financiar përdorej për të fshehur origjinën e të ardhurave nga aktivitete kriminale, përfshirë trafikun e drogës dhe mashtrimet tatimore.

Hetimet vijojnë për të zbardhur lidhjet ndërkombëtare të organizatës dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.