Gjykata e shkallës së parë Tiranë liroi të gjithë personat që u ndaluan si pjesë e një skeme të mirëfilltë vjedhje parash në nje banke, ndërsa la në burg vetëm drejtorin e filialit.

Masa e arrestit në burg u konfirmua vetëm për drejtorin Albin Keta, ndërsa 10 personat e tjerë, mes të cilëve zëvendësdrejtori Gilbert Hoxha, njëherësh përgjegjës operacional, u lanë në masën “detyrim paraqitje”.

Deri në këtë fazë të hetimeve që po kryen prokurorja Sonila Muhameti, ka dyshime se shuma që i është vjedhur dy klientëve të bankes, e pozicionuar në rrugën Hoxha Tahsim në kryeqytet, është rreth 400 mijë euro, njëra llogari në euro dhe tjetra në dollarë.

Hetimi nga Prokuroria e Tiranës nisi pas kallëzimit të një shtetasi, i cili denoncoi ndërhyrjen e paautorizuar në 3 llogari të tij bankare, prej nga u morën 5 milionë lekë. Organi i akuzës regjistroi procedim penal, teksa këtij kallëzimi iu bashkëngjit edhe një tjetër që u bë nga vetë filiali i bankës, për tërheqjen e një tjetër shume të një klienti.

12 persona, mes të cilëve arkëtarë të bankës, janë identifikuar deri më tani si përgjegjës për konsumimin e veprave penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, falsifikim dokumentesh dhe falsifikim kompjuterik.

Drejtori dhe zëvendësdrejtori i bankës, Albin Keta dhe Gilbert Hoxha, u arrestuan pak ditë më parë për këtë çështje, pasi ata dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke përvetësuar shumat monetare të dy klientëve nëpërmjet përdorimit të mandateve të tërheqjes false, përmes ndërhyrjes së kundërligjshme në sistem dhe përmes konvertimeve valutore, duke bërë hapje dhe mbyllje depozitash, si dhe ndryshim të të dhënave pa autorizim.

Për 6 punonjës u firmos më herët masa “arrest në shtëpi” dhe për 4 të tjerë “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, por gjykata ndryshoi qëndrim, duke i lënë ata në masën “detyrim paraqitje”. Masa e sigurisë për një arkëtar nuk është ekzekutuar ende, pasi ai nuk u gjet në adresën përkatëse.

Organi i akuzës thotë se i gjithë grupi ka bashkëpunuar me drejtuesin e bankës dhe zëvendësdrejtuesin për të vjedhur shuma parash në llogaritë bankare të klientëve, teksa hetimet po vijojnë intensivisht për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë skemë.