Banorët e Durrësit që preken nga projekti TID u takuan ditën e sotme me drejtoreshën ligjore, Alneida Rroshi. Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesja e banorëve, arkitektja Entela Koja deklaroi për mediat se i kanë kërkuar bashkisë që t’i informojë brenda afateve konkrete kohore lidhur me procedurat që po ndiqen nga institucioni i qeverisjes vendore dhe Ministria e Kulturës.

Sipas saj, parregullsitë e projektit të parë janë të shumta, prandaj banorët kërkojnë që këtë herë ata të jenë pjesë e procesit. Pavarësisht se banorët i janë drejtuar bashkisë me kërkesë zyrtare, përgjigja që morën sot nuk ishte e shkruar.

Skeptikë ndaj procedurave shtetërore që mund të ndërmerren në kurriz të pronave të tyre, banorët insistuan në përgjigje me shkrim. Projekti TID Durrës, që pritet të realizohet nga Ministria e Kulturës, Bashkia Durrës dhe AADF, planifikon shembjen e banesave dhe bizneseve të rreth 80 familjeve durrsake, që banojnë rreth amfiteatrit dhe në zonën historike.