Banorët e Rrjollit që kundërshtojnë ndërtimin e një resorti kanë dalë në protestë para Prokurorisë së Posaçme. Ata kanë kërkuar takim me zyrtarë të SPAK, ndërsa në drejtim të godinës së Prokurorisë së Posaçme kanë hedhur edhe vezë.
Banorët kërkojnë ndërprerjen e ndërtimit dhe zgjidhjen e situatës në përputhje me ligjin, duke apeluar për ndërhyrje nga institucionet shtetërore dhe SPAK. Ata kundërshtojnë ndërtimin e resortit në Velipojë mbi pronat që pretendojnë se i disponojnë me dokumentacion të rregullt, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të drejtësisë.
“Janë të njëjtët persona që duan të vjedhin pronat e qytetarëve”, tha një qytetar, duke hedhur akuza ndaj atyre që duan të ndërtojnë në pronat e tyre.
“Protestat nuk do të ndalen, qytetarët do të jenë aty”, tha një prej banorëve.
Avokati i banorëve të Rrjollit pas daljes nga SPAK, tha për mediat se një kallëzim është bërë për Fatmir Shpellzaj në kuadër të dyshimeve se ka bashkëpunuar me zyrtarë të pushtetit vendor për të falsifikuar dokumentet e pronës. Avokati u shpreh se SPAK përsëri nuk u ka dhënë një shpjegim se çfarë po ndodh me kallëzimin e tyre.
“Situata është e agravuar, kallëzimi lidhet me Fatmir Shpellzën është bërë para 1 muaj edhe nuk ka reagim. Është e patolerueshme. Dosja është më shumë se 2 fashikuj. Problematika nuk vjen kot, por si pasojë e mosreagimit të institucioneve. Përsëri na përcollën se do të gjejmë kohë. Është detyrim i këtij organi që t’i dëgjojë këta banorë. Është e drejta e pronës së tyre që e kanë të trashëguar. Kallëzimi ndaj Shpellzës pretendon se ka fituar këtë pronë, dhe a vend dhe për hetime të mëtejshme se nuk është i përfshirë vetëm ai. Mund të jenë shumë të tjerë që mund ta kenë vënë atë për shpallura as muri dhe nuk ka më si të tërhiqet nga kjo situatë. Informacioni është i mangët. Nuk kemi reagim nga asnjë institucion. SPAK minimalisht duhet të japë shpjegime përse e referojnë çështjen. Me emra konkretë i ka prokuroria. vetë fakti sesi është marrë kjo pronë, jemi në kuadër të dyshimit ka persona konkretë të pushtetit vendor të përfshirë. Biznesmeni është i njohur me problematikën e zonë. nuk mund të trajtohet një investim i atillë pa asnjë problematikë. Banorëve nuk po u lejohet të ta trajtojnë pronën si të tyren. Kërkojmë një informacion çfarë po ndodh me këtë kallëzim që kemi bërë”, tha avokati.



