Banorët e Rrjollit vijonë protestën e tyre, por këtë herë tubimi i tyre është zhvendosur para ambienteve të Kuvendit. Në duar ata mbajnë pankarta në të cilat shkruhet “Po na vjedhin tokën”, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve përkatëse.
“Kryeministri del e thotë se kanë letrat e falsifikuar, a ka shkuar ndonjë herë të shohë se çfarë ndodh në këto institucione tona”, është shprehur një nga protestuesit.
Prej shumë kohësh, banorët e Baks-Rrjollit janë në protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonë, ndërkohë që ata janë shprehur të vendosur se do të mbrojnë tokat e tyre. Luçiana Kokaj, banore e Rrjollit, ka deklaruar se banorët kanë dorëzuar në Kuvend një kërkesë që të ketë një seancë dëgjimore për problematikën e Rrjollit. Gjatë një prononcimi për mediat, ajo tha se deputetët duhet të marrin kohë dhe t’i dëgjojnë problematikat e tyre.
“Ju jeni aty për të na përfaqësuar ne si ligjvënës. Ne kemi dorëzuar edhe një kërkesë në Parlament, që të ketë një seancë dëgjimore për problematikën e Rrjollit. Deputetët duhet të marrin kohë dhe të na dëgjojnë ne. Nuk duhet të vijnë te ne vetëm kur është koha e votave, por edhe kur ne kemi nevojë”, tha Luçiana Kokaj.



