Energjia elektrike
Mungesa e energjisë elektrike ka sjellë reagim edhe te banorët e Tiranës, ndërkohë që në Fier, dy komuna kanë mbetur pa drita për shkak të rrëzimit të një shtylle të tensionit të lartë. Pas 11 ditësh pa ujë e pa drita, banorëve të Selitës në Tiranë iu është dashur të kërcënojnë se do të lënë të gjithë kryeqytetin pa drita për të gjetur një zgjidhje për ta. Janë nisur me dhjetëra vetë drejt nënstacionit elektrik të Selitës për të hyrë në nënstacion dhe për të lënë Tiranën pa drita. Kryetarja e njësisë nr. 5 në kryeqytet, Jeta Seitaj, tha se banorët ishin gati gjatë paradites të lënë të gjithë kryeqytetin pa drita. Përgjigjja është marrë vetëm në momentet e fundit. Të ndodhur nën presionin e banorëve, zyrtarë të CEZ-it kanë premtuar që gjithçka do të rregullohet pasdite. Ndërkaq, nga Fieri mësohet se 31 mijë banorë të Frakullës dhe Levanit, prej një jave janë në errësirë për shkak të rrëzimit të shtyllës së tensionit të lartë. Moti me erëra të forta ka dëmtuar bazën e shtyllës, duke e rrëzuar atë dhe duke shkëputur linjën elektrike që furnizon këto dy zona. Drejtuesit lokalë kanë vënë në dispozicion të CEZ më shumë se 150 persona si edhe mjetet e nevojshme, por kompania nuk ka dërguar asnjë teknik të sajin për riparimin e dëmit. “CEZ nuk do t’ia dijë fare. Për një shtyllë që ka rënë këtu ia sigurojmë të gjitha, edhe fuqinë punëtore e çdo gjë, vetëm të ngrihet ajo shtyllë që të vijnë dritat. Po nuk pati korrent mjaftueshëm, detyrimisht do të digjet pompa, çdo gjë. 150 punëtorë i kam siguruar, madje edhe më shumë. Ta ngremë këtë shtyllë me ekskavator, me çfarë të duan, vetëm të kenë njerëzit drita. Nuk do t’ia dijë njeri për popullin. Asgjë, rëndësi ka që i kanë në rregull punët e veta”, tha Viktor Cervenaku, kryetari i Komunës Frakull. Komunat e Fierit edhe pse janë paguese të rregullta të faturave të energjisë vuajnë mungesën e saj për javë të tëra, qoftë për shkak të defekteve nga moti, qoftë për shkak të vjedhjes të linjave për t’u shitur për skrap.