Projektligji “Për Barazinë Gjinore” pritet të votohet sot në Kuvend, një nismë që ka shkaktuar polemika të mëdha në shoqërinë shqiptare. Ky projektligj, i cili ka ndezur debate të ashpra, është mbrojtur nga mazhoranca, e cila ka sqaruar se ai ka si qëllim të sigurojë barazi mes burrit dhe gruas dhe se përkatësitë shumëfishta nënkuptojnë statuset sociale dhe jo gjinitë e ndryshme.

Megjithatë, ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër kundër këtij ligji, duke deklaruar se kush do të votojë sot pro tij, voton kundër Familjes dhe Kombit Shqiptar. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka theksuar se ky projektligj dëmton thelbësisht familjen shqiptare, duke goditur ADN-në e saj dhe vlerat e shenjta që ajo mban, duke përfshirë identitetin, traditat, historinë dhe kulturën e kombit shqiptar.

Postimi i plotë:

Aleatët e errësirës kanë vendosur të fusin sonte për miratim në Kuvend, në orët e vona, ligjin anti-Familje dhe anti-Atdhe të “barazisë gjinore”, që godet në ADN familjen shqiptare dhe vlerat e shenjta të saj, si dhe kombin tonë, identitetin, traditat, historinë e kulturën.

Miratimi i këtij ligji të zi, të kundërshtuar nga të gjitha komunitetet fetare, në fakt është detyrim-përcaktim që “Rilindja” ka ndaj qarqeve mafioze ndërkombëtare që duan të shkatërrojnë Shqipërinë.

Është avancim i një anxhende antikombëtare të këtij Sekti, që në vazhdën e shpopullimit dhe shndërrimit të Atdheut në fermë të surogacisë, kërkon të shpërbëjë edhe me ligj familjen shqiptare.

Kush voton sot në errësirë pro këtij ligji voton kundër Familjes dhe Kombit Shqiptar!