Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka dalë sot me një deklaratë për mediat, duke sqaruar ligjin për barazinë gjinore të miratuar dje me 77 vota në Kuvend. Ajo ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës dhe shoqërisë civile se ligji i hap rrugë identiteteve të shumëfishta, duke theksuar se kjo nuk është e vërtetë.

Luarasi u shpreh se ligji synon të promovojë barazinë gjinore dhe të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të individëve, pa krijuar mundësi për përfshirjen e identiteteve të shumëfishta, siç është shpesh argumentuar nga kundërshtarët e ligjit.

Në deklaratën e saj, ajo ka përmendur disa shtete të Bashkimit Evropian, të cilat kanë kufizuar konceptin e gjinisë vetëm në dy sekset biologjike. Megjithatë, Luarasi tha se këto shtete nuk janë shembuj të mirë për t’u ndjekur, pasi janë duke shkelur parimet themelore të së drejtës evropiane.

“Është e vërtetë që 2-3 shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar ose propozuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në ‘dy sekse biologjike’. Por, këto nuk janë shembuj për t’u ndjekur nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, pasi janë shkelje të parimeve themelore të së drejtës së Bashkimit Evropian,” tha Luarasi.

Ajo shtoi se Komisioni Evropian ka hapur procedura shkeljeje ndaj disa shteteve për këto ndryshime dhe ka paralajmëruar sanksione financiare. Sipas saj, nëse këto shtete refuzojnë të korrigjojnë shkeljet, ato rrezikojnë gjoba ditore, pezullim të fondeve të BE-së ose përjashtim nga programet e bashkëpunimit.

“Janë permendur disa here nga kolege te opozites ne komisione shembuj nga disa vende europiane.  Është e vërtetë që 2-3 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, kanë miratuar apo propozuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në “dy sekse biologjike”. Por, këto nuk janë shembuj për t’u ndjekur nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, pasi janë shkelje të parimeve themelore të së drejtës së Bashkimit Evropian. Ashtu sic eshte e vertete se Komisioni Evropian ka hapur procedura shkeljeje  ndaj disa prej këtyre shteteve dhe ka paralajmëruar sanksione financiare sipas nenit 260 të Traktatit për Funksionimin e BE-së. Nëse shtetet refuzojnë të korrigjojnë shkeljet, ato rrezikojnë gjoba ditore, pezullim të fondeve të BE-së, apo përjashtim nga programet e bashkëpunimit. Pra, nuk kemi të bëjmë me “shembuj të mirë” que duhen ndjekur, por me shkelje që po diskutohen në gjykatat evropiane si cenim i parimeve themelore të së drejtës evropiane”, u shpreh Luarasi.