Partia Demokratike ka ngritur sot akuza të forta ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke e akuzuar për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Në një deklaratë për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, njoftoi se opozita ka nisur zyrtarisht procedurat për shkarkimin e Presidentit.

Sipas Bardhit, Begaj ka ushtruar aktivitet paralel si mjek në një klinikë private, ndërkohë që mban detyrën e Kreut të Shtetit. “Paradite ushtron funksionin si President, ndërsa pasdite ofron shërbime si mjek privat. Kjo është një shkelje e hapur e ligjit”, u shpreh Bardhi.

Ai theksoi se ligji e ndalon qartë Presidentin e Republikës që të angazhohet në funksione të tjera gjatë mandatit të tij, duke e cilësuar rastin si të paprecedent në historinë e presidencës shqiptare.

PD kërkon që Kuvendi të shqyrtojë sa më shpejt këtë çështje dhe t’i hapë rrugë procedurave kushtetuese për shkarkimin e Presidentit Bajram Begaj.

“E dini ju që presidenti ndërkohë që është President rezulton i punësuar nga një klinikë private mjekësore. Ditën bën presidentin, pasdite paguhet nga rrjeti i klinikave private siç deklaron vetë të ardhurat çdo vit. Ky është niveli i presidentit të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Bardhi.