Aksidenti
Një prej automjeteve të eskortës së kreut të PD-së, Lulzim Basha, është përplasur gjatë vizitës së tij në Tropojë, teksa ai po kthehej nga festa për 23-vjetorin e themelimit të kësaj force politike në këtë rreth. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se aksidenti ka qenë i lehtë, megjithatë kanë shoqëruar personin që ka shkaktuar aksidentin, i cili është Niman Buçpapaj. Lajmi konfirmohet nga ana e Policisë së Kukësit, sipas së cilës, makina e eskortës së Bashës është aksidentuar nga një automjet tip Mercedes Benz. Drejtori i Policisë së Qarkut Kukës, Ilirjan Balla, thotë se ngjarja është aksidentale dhe se nga përplasja janë shënuar dëme të lehta materiale. Sipas të dhënave policore, mjeti i eskortës, që është përplasur me mjetin e drejtuar nga Buçpapaj ka qenë i treti në radhë, teksa Basha po kthehej nga Tropoja. Ndërkaq, lajmi për aksidentin me eskortën e kreut të Partisë Demokratike është pranuar edhe nga kjo forcë politike. Burimet zyrtare të PD, të pyetura nga gazeta “Shqip”, thanë se ka qenë një fërkim makinash aksidental, por nuk është shënuar asnjë incident gjatë takimit të Lulzim Bashës në Tropojë.