Plani i Tiranës, Basha konsultohet me grupet e interesit


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi dje konsultime me përfaqësuesit e Shoqatave të Ndërtimit dhe të biznesit, në lidhje me planin e zhvillimit urban të qytetit.


Duke vlerësuar transparencën me të cilën është hartuar plani, Basha garantoi ndërtuesit se ky parim do të jetë një praktikë e vazhdueshme pune për bashkinë, çka do të mënjanojë abuzimet dhe sekserët. “Ky plan, midis të tjerave, thuajse automatizon procedurën mistike dhe shpesh të pakapërcyeshme të marrjes së një leje ndërtimi në Tiranë”, tha kryebashkiaku.


Basha sqaroi se ndërtuesit janë dhe duhet të jenë lokomotiva e zhvillimit të vendit, prandaj është e qenësishme pasja e një plani zhvillimi që të garantojë interesat e tyre, por që të garantojë edhe harmoni të plotë me interesat e qytetarëve dhe qytetit në përgjithësi. Në një analizë të shkurtër të asaj se çfarë ka ndodhur vitet e fundit në Tiranë, Basha vlerësoi se shtimi i popullsisë dhe ndërtimi pa kriter kanë bërë që Tirana të humbasë disa asete të saj, siç është gjelbërimi, hapësirat publike, infrastruktura rrugore dhe sociale. Për këtë arsye, plani i zhvillimit të qytetit parashikon rritjen e këtyre hapësirave, për t’iu afruar standardeve europiane. Ekspertët e grupit teknik kanë shpjeguar më tej, në mënyrë më të detajuar përpara ndërtuesve dhe biznesmenëve, se si do të zhvillohet Tirana në të ardhmen dhe cilat do të jenë mundësitë që ofrohen.


Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, Avenir Kika, ka vlerësuar bashkëpunimin me bashkinë dhe përfshirjen e tyre, që në hapat e parë të hartimit të draftit. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, u shpreh se partneriteti që ka gjetur Dhoma me bashkinë i shërben zhvillimit të biznesit dhe qytetit në tërësi. Pas konsultimeve me banorët e Tiranës në 11 njësitë vendore, diskutimi me grupet e interesit ishte edhe konsultimi i fundit, përpara se plani i zhvillimit të paraqitet për miratim në Këshillin Bashkiak, në datën 24 dhjetor të këtij viti. Lorina Mixha