Ditën e martë, parlamenti vendor miraton gjashtë vendime të rëndësishme për financat


Lorina Mixha


lul bashaPas deklaratës së kryetarit të Partisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, se nuk do të ketë përçarje të koalicionit PD-LSI, për sa i takon qeverisë vendore, bashkia ka njoftuar mbledhjen e këshillit bashkiak. Menjëherë është vendosur dhe janë njoftuar të gjithë anëtarët e këshillit se takimi i radhës për diskutime në parlamentin vendor do të jetë ditën e martë, më datën 9 prill.


Mbledhja e këshillit bashkiak do të jetë një provë ku anëtarët e LSI-së, bashkë me të zgjedhurit e Partisë Demokratike do të tregojnë dhe do të vërtetojnë mesazhin e dhënë ditë më parë nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Takimi


Edhe mbledhja e nxituar apo e thërritur shpejt e shpejt nga sekretaria e këshillit bashkiak është një motiv për të mbledhur parlamentin vendor, për të parë se sa të pranishëm dhe sa të devotshëm do të jenë pesë anëtarët e LSI-së për të krijuar edhe një përshtypje se çfarë do t’i presë më pas, kur zgjedhjet e qershorit të kenë përfunduar.


Para se të mbyllet procesi zgjedhor dhe rezultatet bashkë me projektet e aleancës së re PS-LSI për ardhmërinë, Bashkia e Tiranës kërkon të miratojë ato vendime të rëndësishme për zhvillimin e punëve, ecurinë e projekteve më të rëndësishme për qytetin, për drejtuesit, por edhe për t’i qëndruar premtimeve që kreu i bashkisë, Lulzim Basha, u ka bërë qytetarëve.


Mbledhja e këshillit bashkiak do të mbahet ditën e martë, më 9 prill në orën 18:00. Janë njoftuar këshilltarët e majtë, të djathtë si dhe anëtarët më të rëndësishëm për momentin, ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Bashkë me ftesën, sekretaria e këshillit bashkiak të kryeqytetit ka kërkuar edhe konfirmimin e anëtarëve lidhur me mundësinë për të qenë të pranishëm në mbledhjen e parashikuar si takim mes anëtarëve për diskutim dhe miratimin e një listë projektvendimesh tepër të rëndësishme për punët e qytetit.


Vendimet


Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të miratojë 6 projektvendime. Ndër ato që pritet të ngjallin diskutime janë projektvendimi për “Miratimin e detyrimeve financiare që rrjedhin nga granti i ofruar Bashkisë së Tiranës nga shteti i Katarit për financimin e projektit ‘Zbatimi i bulevardit verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës’”. Pritet shqyrtimi i fazës së parë, pr/vendimi për “Zbatimin e programit ekonomik dhe punësimit ‘Skema e Fondit të Garancisë’” si dhe miratimi i kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë. Po ashtu është njoftuar nga bashkia e kryeqytetit se do të shqyrtohet pr/vendimi për një ndryshim në vendimin e këshillit bashkiak nr.8, datë 12.10.2011 për “Miratimin e strukturës organizative të aparatit të Bashkisë së Tiranës”.


Në bashkinë e kryeqytetit ende nuk janë shënuar lëvizje të drejtuesve, specialistëve apo punonjësve të tjerë, anëtarë të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Pritet që ndryshimet të bëhen publike dhe vendimet personale apo institucionale të merren pas zgjedhjeve të qershorit.