Gazment Bardhi ka komentuar për mediat vendimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar nga radhët e Partisë Demokratike 11 deputetë.

“Merreni me të qeshur dhe boll harxhuat rreshtat me çfarë bën Lulzim Basha. Përveçse humorit te çdo mendje normale njerëzore, kanë zero efekt. Është fiks si pohimi “falë mundit tuaj nga sot Edi Rama nuk është më Kryeministër”, që demokratët e dëgjonin pas çdo proteste në 10 vjet opozitë!

Si njëri nga deputetët e PD, Lulzim Basha nuk ka as legjitimitetin, por as forcën për të përjashtuar askënd. Ndryshimi i përbërjes së grupit parlamentar mund të ndodhë VETËM me vendim të grupit parlamentar. Përtej kësaj, asnjë copë letre, asnjë firmë dhe asnjë vulë e keqpërdorur në ilegjitimitet, nuk ka vlerë.

Ftoj secilin koleg të përqendrohet tek skandali i Edi Ramën me korruptimin e një zyrtari të FBI, që pranoi fajësinë dhe marrëdhënien e biznesit me Kryeministrin, si dhe tek sjellja skandaloze e Edi Ramës në raport me zhvillimet në Kosovë.

Aktet qesharake që bëhen për të zhvendosur vëmendjen nga këto dy çështje nuk mund të marrin asnjë sekondë nga veprimtaria e Grupi Parlamentar të PD. Zhvendosja e vëmendjes është interes i Edi Ramës, por jo i demokratëve dhe opozitarëve”, tha Bardhi.