Kryetari i PD, Lulzim Basha premton uljen e çmimit të naftës, nëse PD vjen në pushtet pas 25 prillit. Lideri demokrat deklaroi në emisionin OPINION, se nëse zgjidhet kryeministër, çmimi i naftës do të ulet me 24 lekë.

Basha u zotua se “qeveria e tij” do të heqë taksën e qarkullimit 24 Lekë të reja për litër që sipas tij është vendosur nga Qeveria Rama.

“Për çmimin e naftës kjo qeveri dhe ky Kryministër bën ekzaktësisht atë që bën me çdo gjë tjetër. E futi si taksë qarkullimi se taksa e qarkullimit ekzistonte. Brenda atij çmimi ky këtë taksë e rriti me 240 Lekë. Kosto e gjithçka në Shqipëri u rrit. Çmimi i naftës do të ulet me 24 lekë. Do kemi naftë me çmime konkurruese, siç e ka Kosova, Mali i Zi, Maqedonia. Qytetari shqiptar do çlirohet nga ky çmim, jemi ndër vendet me çmimet më të shtrenjta në botë. Kjo do i japë shtysë ekonomisë dhe vendit.”, tha Basha në Opinion./ Gazeta SHQIP