Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha prezantoi në orët e pasdites së të hënës buxhetin e bashkisë për vitin 2013. Që në nisje të fjalës së tij, Basha premtoi se buxheti i vitit të ardhshëm do t’i ndryshojë faqen qytetit të  Tiranës. Ai premtoi korsi të dedikuara për transportin publik, lehtësi për biznesin dhe hapjen e vendeve të reja të punës.


Ndërkohë u premtua një fond i veçantë për të stimuluar kredidhënien për biznese të reja, të hapura nga të rinj nën moshën 35 vjeç. Prezantimi është bërë gjatë një takimi që kryebashkiaku Lulzim Basha ka bërë më banorë të njësisë nr.2 të kryeqytetit.


Kryebashkiaku bëri me dije se është parashikuar shtimi i hapësirave të gjelbërta, këndeve të reja sportive si dhe krijimi i hapësirave për parkim të automjeteve, mbjellja e një numri të madh pemësh, si dhe ndërtimi i 65 km rrjet inxhinierik i ujërave të zeza dhe ujërave të bardha (ujit të shiut). Një pikë me rëndësi e prezantuar nga Basha ishte edhe shtimi i hapësirës për varrezat publike, ku tha se është parashikuar një shtim sipërfaqeje prej 2 hektarë. Po kështu numri një i Bashkisë tha se deri në fund të vitit do të vihet në efiçencë 92 për qind e sistemit të ngrohjes në sistemin arsimor, si dhe brenda vitit 100 për qind në sistemin parashkollor, kopshte dhe çerdhe.


3 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)