Një 46-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është sjellë nga Spanja dhe i është dorëzuar autoriteteve shqiptare. Policia njofton se ekstradimi u realizua në kuadër të operacionit “The Wanted”.

I dyshuari akuzohet për një tentativë vrasjeje që ndodhi në maj të vitit 2023 në qytetin e Beratit, ngjarje e cila u pengua falë ndërhyrjes së uniformave gjatë operacionit “Objektivi”.

Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes” dhe “Mbajtja dhe prodhimi pa leje i armëve, shpërthyesve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim.

Hetimet tregojnë se në tentativën për të vrarë një person, 46-vjeçari kishte bashkëpunuar me tre shtetas të tjerë.

Interpol Tirana

Ekstradohet nga Spanja një 46-vjeçar, i cili në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, në maj të vitit 2023, tentuan të kryenin një vrasje në qytetin e Beratit.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të Interpol Madridit, u finalizua, në kuadër të operacionit “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri të shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ermal Gora., 46 vjeç, banues në Tiranë.

Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas dyshohet se, në maj të vitit 2023, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, kanë tentuar të vrisnin 1 shtetas.

Ngjarja kriminale u parandalua si rezultat i ndërhyrjes së Policisë së Beratit, në kuadër të operacionit “Objektivi”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.