Elbasani është qyteti tjetër ku janë zhvilluar aksione për goditjen e fenomenit të shfrytëzimit të fëmijëve, një vepër që shoqërohet me keqtrajtimin e tyre.
Glenda Zeneli, prokurore, tregon edhe vështirësitë, në rastin e këtyre të miturve, për të cilët institucionet duhet të jenë vigjilentë për të shmangur rrezikun e trafikimit më pas.
Një nga specifikat që unë mund t’iu rendis, lidhet me faktin se edhe prokurori edhe gjykata duhet të jenë vigjilentë kur konstatojnë vendosjen e të miturit në situatë rruge, nëse vjen për shkak të faktorëve ekonomiko-socialë, pra e bën një familjar, apo nëse vjen nga persona të tretë.
“Kodi penal parashikon në lidhje me detyrimin e të miturit për të lypur, dy vepra penale. Njëra është keqtrajtimi i të miturit, si specifikë që subjekti aktiv është i afërm, pra ka detyrë të kujdeset për të miturin. Prindi, gjyshi, gjyshja dhe çdo person tjetër që ka për detyrë të kujdeset”, u shpreh, Glenda Zeneli, prokurore.
Inside Story ka arritur të sigurojë ekskluzivisht një sërë dosjesh që tregojnë se deri në çfarë niveli abuzimi arrijnë shfrytëzimet e fëmijëve. Rasti më i fortë është ai i shtetasit Fjodor Berati nga Elbasani, i cili jetonte në Ferizaj. Bashkëjetuesja e tij B. Ç. u paraqit në komisariatin e Kukësit, sepse partneri e kishte dhunuar atë dhe vajzën e saj nga martesa e mëparshme.
Shtetasja B. Ç., ka deklaruar se bashkëjeton me shtetasin Fjodor Berati, prej dy vitesh punon në Ferizaj. Nga bashkëjetesa kanë një djalë 7 muajsh. Ajo pretendon se e ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht atë dhe vajzën e vogël 12-vjeçare.
Por, nuk mbaron me kaq. Fjodor Berati, e ka shfrytëzuar 12-vjeçaren duke e nxjerrë në rrugë për të lypur. Referuar dëshmive të vogëlushes, bashkëjetuesi i ri i nënës e ka nxjerrë me dhunë në rrugë. Madje, ai e ka terrorizuar fëmijën duke e kërcënuar me armë.
Nga intervistimi i të miturës rezulton se shtetasi Fjodor Berati e ka dhunuar duke e nxjerrë në rrugë për të lypur, e ka dhunuar nënën e saj në sy të fëmijëve, duke e ofenduar si dhe kërcënuar edhe me armë për t’i dorëzuar lekët.
“Ne kemi pasur raste që një person i tretë që ka pasur për detyrë të kujdeset për të miturin e ka zhvendosur në një vend tjetër, atëherë ne kemi e klasifikuar si trafikim. Nëse është detyruar dhe ka pasur vazhdimësi episodesh që detyrohet për të lypur në vendin e origjinës, atëherë kemi shkuar me keqtrajtimin e të miturit”, u shpreh, Glenda Zeneli, prokurore.
Fatmirësisht, Prokuroria e Elbasanit ka ndërhyrë në kohë në këtë rast duke shmangur përshkallëzimin e situatës. Në deklaratën e zonjës së dhunuar, del në pah edhe fakti që institucionet e Kosovës, nuk kanë punuar dhe nuk e kanë trajtuar me aq seriozitet rastin.
“Në rast se personi që detyron të miturin është një person i tretë ne do të shkojmë drejt trafikimit të të miturve. Në rastin kur është familjari, duhet të bëjmë verifikim edhe të elementëve të trafikimit. Format e trafikimit janë të ndryshme, por është edhe shitja, në rast se një familjar shet të miturin te një person i tretë për ta shfrytëzuar, këtu kalojmë te trafikimi”, u shpreh, Glenda Zeneli, prokurore.
Ndërkohë, nisur edhe nga rasti i dhunës që pasqyruam, Altin Hazizaj, na jep një realitet akoma më të egër të rasteve që kanë ndjekur në shoqatën që drejton. Ky, nuk është rast i kufizuar por, vetëm një ndër qindra të tjerë që zbulon se realiteti është akoma më i ashpër.
