Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Jozi Kraja, i cili u ekstradua nga Zvicra dy ditë më parë.
Sipas njoftimit të Interpol Tiranës, Kraja dyshohet se për rreth katër vite ka siguruar kushte dhe mjete materiale për vrasjen e dy vëllezërve, D.B. dhe V.B., në kuadër të veprimtarisë së një grupi të strukturuar kriminal.
Kërkesa për verifikimin e kushteve të masës së sigurisë u paraqit më 27 janar 2026 nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në zbatim të një vendimi të mëparshëm të marrë në maj të vitit 2024.
Pas shqyrtimit të çështjes, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin e datës 29 janar 2026, vendosi vijimin e arrestit në burg për Jozi Krajën. Ai akuzohet për “sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, “grup të strukturuar kriminal” si dhe “kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjykata urdhëroi Policinë Gjyqësore që i pandehuri të dërgohet menjëherë në institucionin e paraburgimit, ndërsa SPAK u ngarkua me zbatimin e vendimit. Gjithashtu, u miratua shpërblimi i avokatit të caktuar kryesisht, sipas parashikimeve ligjore.
