Teksa Partia Demokratike ka nisur negociatat me partitë opozitare për të gjetur kandidatin për zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës dhe 5 bashkive të tjera, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, thotë se ai ka vetëm një kusht.

Në një konferencë shtypi nga zyrat e partisë që ai drejton, Shehaj u shpreh se Partia Mundësia do të bashkëpunojë dhe do të ulet në tryezë me Partinë Demokratike vetëm nëse gjendet një kandidat i përbashkët dhe jashtë partive politike. Ai tha qartë se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të Partisë Demokratike.

“Ne kemi mbajtur një qëndrim dhe kemi thënë që ka vetëm një mënyrë për të fituar zgjedhjet në Tiranë, dhe e vetmja mënyrë është e gjithë opozita të ketë një kandidat që vjen nga jashtë partive politike. Jemi të bindur që kjo është e vetmja mënyrë për të fituar zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës. Nuk kemi marrë një përgjigje të prerë nga Partia Demokratike nëse është apo nuk është për një alternativë të tillë.

Tani na kërkohet që të futemi në negociata. Por para se të fillojmë çdo lloj negociate, është shumë e rëndësishme që PD të thotë është apo nuk është për një kandidat të tillë. Dhe nuk mund të luajë me dy porta duke thënë edhe jemi edhe nuk jemi.

Ne kemi disa alternativa, shumë të mira, që jam i bindur që mund të fitojnë përballë kandidates së Partisë Socialiste që të gjithë e dinë që ka dosje në SPAK sepse ka abuzuar me paratë e qytetarëve shqiptarë. Thjesht, PD-ja të ndajë mendjen, nuk mund të ulemi në negociata pa ditur çfarë po negociojmë. Nëse duan të dinë nëse ne do mbështesim një kandidat të PD, është e kot që ulemi në negociata. Përgjigjja është jo! Nëse janë të gatshëm dhe kanë ndarë mendjen që të kandidojnë një përfaqësues të opozitës që të bashkojë opozitën dhe që të marri vota përtej votave të partive opozitare, absolutisht dakord. Jo vetëm që kemi dakord, por jemi të bindur që kjo është e vetmja mundësi. Ky është një fillim, le ta fillojmë me Bashkinë e Tiranës. Le të tregojmë që mundet Edi Rama”-, u shpreh Agron Shehaj.