Policia ka vënë në pranga Petrit Çakrrin, i njohur edhe si Petrit Hoxha, i dyshuar si bashkëpunëtor në rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje e rëndë që tronditi zonën e Dibrës disa ditë më parë.
Sipas hetimeve paraprake, Çakrri dyshohet se ka bashkëpunuar me tre vëllezërit Bushgjokaj, Fatjonin, Kristin dhe Aleksandrin, që konsiderohen organizatorët kryesorë të krimit. Deri tani, njëri prej tyre është arrestuar, ndërsa dy të tjerët vazhdojnë të jenë në kërkim.
Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se viktima fillimisht është mbytur dhe më pas është hedhur në ujërat e liqenit të Ulzës. Trupi i të riut është gjetur pranë sektorit “C”, pa arritur të përfundojë plotësisht në ujë, ndërkohë që automjeti me të cilin ndodhej u fundos dhe u gjet më pas në liqen.
Ndërkohë, mësohet se Renis Dobra ka qenë më parë i dënuar në Gjermani për shpërndarje lëndësh narkotike, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

