Gazeta britanike “The Sun” i ka kushtuar një artikull jetës së “re” të bashkëshortes së gangsterit shqiptar që u ekzekutua para derës së shtëpisë në Londër. Sipas artikullit, Debora Krasniqi pa tmerrin me sy kur bashkëshorti, Flamur Beqiri iu ekzekutua para syve në vitin 2019.
“The Sun” shkruan se gjashtë vite më vonë, Debora e ka rimodeluar veten si një avokate me profil të lartë në Dubai. Pas tragjedisë që pa, ajo punon tani si juriste për “ADG Legal” me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Konkretisht, Debora punon nga zyrat e firmës në ndërtesën luksoze “Burj Gate Tower” në “Downtown Dubai”.
Në artikull theksohet se Debora iu bashkua firmës në vitin 2023 dhe ka një diplomë të klasit të parë në drejtësi, si edhe një master në Praktikë Ligjore. Gjithashtu, ajo kishte themeluar një kompani investimesh në prona banimi dhe ka qenë pjesë e menaxhimit të projekteve të mikpritjes në hotelin “Swiss Diamond” në Lugano, Zvicër.
“The Sun” shkruan ndër të tjera se është një kthesë e jashtëzakonshme për Deborën, pas vrasjes së pamëshirshme të bashkëshortit të saj që u bë lajm kombëtar. Sakaq, në artikull sqarohet se Beqiri kishte mbërritur në Britani katër ose pesë vite para ekzekutimit dhe menaxhonte një shtëpi diskografike hip-hopi të quajtur Skrilla në Malmo, një qytet me një komunitet të madh emigrantësh nga Ballkani, edhe pse fshihte një jetë të dyfishtë si gangster i nivelit të lartë.
ARTIKULLI I “THE SUN”:
Për botën e jashtme, Debora Krasniqi duket thjesht si një fytyrë tjetër e bukur që përzihet mes banorëve të lagjes luksoze Battersea. Por pas manikyrit perfekt dhe çantave të markave, 36-vjeçarja ishte në fakt gruaja e gangsterit shqiptar të nivelit të lartë, Flamur Beqiri i cili u qëllua për vdekje në pragun e derës së tyre para syve të saj.
Ai ishte shpallur më parë si një nga njerëzit më të kërkuar në Suedi për një skemë trafikimi kanabisi me vlerë 2 milionë sterlina. Dhe Debora mundi vetëm të shikonte e pafuqishme teksa i shoqi vëllai i ish-yllit të “The Real Housewives of Cheshire”, Misse Beqiri u qëllua për vdekje në prag të derës në vigjilje të Krishtlindjes në vitin 2019, pas një përplasjeje mes bandave suedeze të drogës.
Beqiri u qëllua me breshëri plumbash në derën e pronës së tyre me vlerë prej 1.7 milionë sterlinash në Battersea, ndërsa gruaja e tij mbronte djalin e tyre dyvjeçar. Në atë kohë, prokurorja e çështjes, Louise Attrill, tha se vrasja ishte pjesë e një “rivaliteti hakmarrës midis dy grupeve shumë të rëndësishme të krimit të organizuar”.
Gjashtë vite më vonë, Debora e ka rimodeluar veten si një avokate me profil të lartë në Dubai. Ajo punon tani si juriste për ADG Legal me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi ka lënë pas tmerrin e së kaluarës. Debora punon nga zyrat e firmës në ndërtesën luksoze Burj Gate Tower në Downtown Dubai.
Një burim i tha “The Sun”: “Debora përjetoi një nga eksperiencat më të tmerrshme – të shihte bashkëshortin e saj të dashur të vritej para shtëpisë së tyre. Por ajo është një forcë e natyrës, punoi shumë dhe u bë juriste. Tani ajo po jeton në Dubai dhe po punon në çështje të mëdha ligjore që përfshijnë disa prej njerëzve më të pasur në botë.”
Profili i Deborës në ADG Legal thotë se ajo iu bashkua firmës në vitin 2023 dhe ka një diplomë të klasit të parë në drejtësi, si edhe një master në Praktikë Ligjore. Po ashtu shton se më herët ajo kishte themeluar një kompani investimesh në prona banimi dhe ka qenë pjesë e menaxhimit të projekteve të mikpritjes në hotelin Swiss Diamond në Lugano, Zvicër.
Është një kthesë e jashtëzakonshme për Deborën, pas vrasjes së pamëshirshme të bashkëshortit të saj që u bë lajm kombëtar. Beqiri kishte ardhur në Britani katër ose pesë vite para vdekjes së tij. Ai menaxhonte një shtëpi diskografike hip-hopi të quajtur Skrilla në Malmo, një qytet me një komunitet të madh emigrantësh nga Ballkani, edhe pse fshihte një jetë të dyfishtë si gangster i nivelit të lartë.
SULMI HORROR
Debora dëgjohej duke bërtitur dhe shfaqej duke mbajtur në krahë djalin e saj në pamjet dramatike të CCTV-së nga sulmi horror në prag të Krishtlindjes 2019. Pak çaste më parë, çifti dhe fëmija i tyre kishin mbërritur në shtëpi dorë për dore, me vogëlushin që mbante një dhuratë që dadoja ia kishte dhënë.
Një burrë i veshur me të zeza iu sul atyre përpara se të nxirrte një pistoletë gjysmë-automatike dhe të zbrazte pothuajse gjithë karikatorin mbi Beqirin. Bebja e tyre tre muajshe dhe tre gjyshërit e fëmijëve ishin brenda shtëpisë ndërsa Beqiri u godit nga tetë plumba, pasi ndaj tij ishte qëlluar gjithsej dhjetë herë.
Vrasësi me pagesë, Anis Hemissi i cili më vonë u dënua me burgim të përjetshëm kishte përdorur disa maskime, përfshirë maska lateksi dhe një uniformë pastruesi rrugësh, teksa bënte vrojtime ditët para vrasjes. Thuhej se Beqiri ishte shënjestruar për të shkaktuar terror dhe tronditje maksimale për shkak të lidhjeve të tij me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës në Suedi.
Megjithatë, Debora ishte e bindur që ai ishte një biznesmen i ligjshëm dhe tha: “Unë nuk e dija këtë” kur iu tha se ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës dhe përshkruhej si “një bos në një bandë ndërkombëtare droge”. Ajo tha se ishin njohur në Holandë, ndërsa Beqiri supozohej se punonte në industrinë e muzikës.
Gjykata dëgjoi se çifti kishte marrë një hua prej 750.000 sterlinash për shtëpinë e tyre trekatëshe, me një parapagim prej 950.000 sterlinash, dhe gjithashtu merrnin me qira një pronë në Dubai. Debora shtoi se i shoqi kishte qenë “shumë i stresuar” përpara se të qëllohej, pasi kishin investuar kursimet e jetës në një bankë suedeze, për të zbuluar më pas se ndërmjetësi ishte mashtrues.
“U DASHURUAM THELLË”
“Kishte diçka të veçantë në lidhjen dhe afrimitetin tonë,” tha ajo.
Debora, e cila është shfaqur edhe në ‘The Real Housewives of Cheshire’, tregoi se si Beqiri i propozoi pasi kishin fluturuar me të dy familjet e tyre drejt Austrisë për Krishtlindjet e vitit 2017. Një mëngjes ajo u zgjua dhe gjeti dyshemenë e dhomës së gjumit të mbuluar me petale trëndafilash dhe të fejuarin e saj të ardhshëm të ulur në njërin gju.
Ajo kujtonte: “Ai vendosi këngën Magic nga Coldplay, e cila më zgjoi, dhe e gjeta në fund të krevatit në njërin gju, i rrethuar me trëndafila. Kjo më vonë u bë edhe kënga e kërcimit tonë të parë në dasmë”.
Beqiri pagoi që të ftuarit nga e gjithë bota të qëndronin në hotelin me pesë yje Grand Hotel Imperiale në Lake Como.
I SHPALLUR NJË NGA MË TË KËRKUARIT NË SUEDI
Beqiri, i cili kishte shtetësi të dyfishtë suedeze dhe shqiptare, pretendonte se merrej me industrinë e muzikës, por kishte qenë i përfshirë në tregtinë ndërkombëtare të drogës që nga viti 2007 si pjesë e një bande të udhëhequr nga Daniel Petrovski, 38 vjeç. 36-vjeçari ishte shpallur më herët si një nga njerëzit më të kërkuar të Suedisë pas zbulimit të 340 kg kanabis në Helsingborg kapja më e madhe e drogës në historinë suedeze.
Hetuesit kishin ndaluar një makinë që tentoi të fuste drogën në port dhe ta çonte në një pikë takimi në Malmo. Një person, që mendohej të ishte Beqiri dhe që pritej të takonte drejtuesin e mjetit, u arratis. Edhe pse akuzat për drogën u hoqën më vonë, ai mori një dënim me kusht.
Beqiri ishte një bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i gangsterit Naief Adawi, 37 vjeç, i cili ishte dënuar me tetë vite burg në Danimarkë për një nga grabitjet më të mëdha në historinë e vendit. Adawi ishte shënjestruar më herët nga persona të armatosur jashtë apartamentit të tij në Malmo, ku ai la të birin e porsalindur dhe iku me vrap ndërsa partnerja e tij, doktoresha Karolin Hakim, 31 vjeç, u qëllua për vdekje.
Vrasësi me pagesë, Hemissi, 24 vjeç, një kikboksier profesionist nga Suedia, ishte punësuar nga rivalët e Beqirit dhe ishte pjesë e një ekipi prej katër vrasësish të dërguar nga vendi i tij për të kryer ekzekutimin e organizuar. Plani parashikonte që grupi të merrte me qira një banesë për vrasësin dhe ta pastronte atë më pas.
Regjistrat e Companies House tregojnë se Debora ishte bashkë-drejtore me të shoqin në një firmë konsulence, që është gjithashtu e listuar në profilin e saj në LinkedIn. Ajo kishte qenë gjithashtu drejtoreshë e një kompanie të pasurive të paluajtshme, Pavilion Asset Ltd, dhe një kompanie tjetër të përfshirë në shitjet online.
LinkedIn-i i saj thotë se ajo ndoqi City Law School nga 2009 deri në 2013, por u bë praktikante juridike vetëm në mars 2020, duke siguruar punën e saj të parë në BUKS përpara se të bashkohej me Ackroyd Legal në nëntor 2022. Para kësaj, ajo kishte punuar në Ashhurst si zyrtare kundër pastrimit të parave. Tani që punon në Dubai, ADG merret me klientë që përballen me akuza penale dhe çështje të pastrimit të parave në këtë vend turistik, si edhe me çështje civile.
Firma u bashkë-themelua nga avokati Peter Gray, i cili u përjashtua nga regjistri i avokatëve në Britani në vitin 2022 pasi u zbulua se kishte fshehur me qëllim prova thelbësore që tregonin se Abdourahman Boreh nuk mund të kishte qenë i përfshirë në një sulm terrorist, me synimin për të bindur gjykatësin të ngrinte 65 milionë paund nga pasuritë e multi-milionerit.
