Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ankimuar kontrollin e ushtruar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në një ambient në zonën e Bllokut, konkretisht në godinën Sky Tower. Përmes avokatit të saj, Xoxa ka dorëzuar një ankim në shkallën e parë, ku kundërshton kontrollin e datës 14 janar, që u realizua në një godinë të regjistruar si apartament, por që përdorej si magazinë për mbajtjen e sendeve personale.

Ky kontroll i dytë u realizua me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve të kryera nga prokurori Ols Dado. Agjentët sekuestruan disa sende, përfshirë materiale që pritet të shërbejnë për hetimin. Më herët, ishin ushtruar kontrolle edhe në banesën dhe zyrën e Arbër Veliajt, si dhe u bë kontroll personal ndaj Ajola Xoxës, ku iu sekuestrua aparati celular.

Kontrollet u firmosën nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj, ndërsa Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa janë paraqitur në SPAK, ku janë pyetur për rreth 5 orë nga prokurori Ols Dado. Hetimet janë ende në zhvillim, dhe informacionet mbi këtë çështje pritet të shpjegojnë më shumë lidhur me natyrën e hetimit dhe të dhënat e mundshme që mund të sjellin rezultate konkrete.