Projekti “Apollonia Investimens”, s’u votua në Këshillin e Bashkisë Fier, vetëm u prezantua
Bashkia e Fierit sqaron se nuk mund të miratohet projekti nëse nuk jepet leja nga ministria përkatëse dhe Kryeministria
Problemi i shumëdiskutuar i ngritjes së impiantit të mbetjeve urbane nga kompania “Apollonia Investimens” në qytetin e Fierit, tashmë është kthyer në një objekt akuzash e kundërakuzash mes pozitës dhe opozitës. Ndërkohë, sipas burimeve në Bashkinë e Fierit, ky projekt nuk është miratuar dhe as nuk është kërkuar të miratohet në Këshillin e Bashkisë Fier. Burimet sqarojnë se përfaqësuesit e firmës në fjalë, pasi kanë prezantuar projektin në ekzekutivin e bashkisë, e kanë prezantuar atë edhe në këshillin bashkiak. Mësohet se në rendin e ditës të asaj mbledhjeje ishte përcaktuar edhe pika: “Informacion mbi projektin e ndërtimit të impiantit të mbetjeve”. Burimet zyrtare të Bashkisë së Fierit shprehen se në asnjë mbledhje nuk është paraqitur projektvendim përpara këshilltarëve, çka në këtë rast do të kërkonte e do të pasohej me miratimin ose jo të projektit.
Gjithashtu, të njëjtat burime theksojnë se, ligjërisht, askush nuk ka të drejtë të çojë një projekt për investim, për t’u miratuar në këshillin e njësisë vendore, në rast se kompania e interesuar nuk e ka marrë lejen në ministritë përkatëse dhe në Kryeministri.
“Në këto kushte, këshillit i është dhënë vetëm informacion mbi projektin, me qëllim që të njiheshin edhe me lëndën që përmbante, si edhe me negociatat që po kryheshin. Po ashtu, kompania duhet të pajisej me leje nga ministritë dhe duhej patjetër që specialistët e kompanisë të zhvillonin disa takime me grupet e interesit, me qëllim vjeljen e mendimit të tyre. Në rastin në fjalë, Këshillit të Bashkisë Fier nuk i është çuar në asnjë rast projektvendim për këtë çështje”, theksojnë burimet zyrtare të kësaj njësie vendore.
Më tej, të njëjtat burime kanë sqaruar të dhëna mbi projektin në fjalë. Sipas prezantimit të bërë nga investitorët, në fushën aktuale të mbetjeve urbane që ndodhet në periferi të qytetit të Fierit, në një hapësirë prej dy hektarësh, pritej që të ndërtohej impianti i përpunimit të mbetjeve, i cili shumë shpejt, përveçse do të bënte që të përfitohej energji, do të sillte një ambient më të pastër në qytet, thonë burimet.
“Ne jemi të nderuar që këtë projekt do ta zbatojmë për herë të parë në Fier. Do të ndërtojmë impiantin dhe pastaj gjithçka do të kalojë në disa faza. Qytetarëve nuk do t’u kërkohet që t’i ndajnë mbetjet, pasi vetë ky impiant mundet që t’i ndajë, ndërsa më vonë të gjitha këto mbetje do të copëtohen, do të digjen në temperatura të larta dhe pas përfitimit të energjisë, lënda që mbetet është në formë të ngurtë, pra inerte e vogël që mund të përdoret në shtrimin e rrugëve. Pra, me këtë proces rajoni juaj vetëm fiton”, kanë deklaruar përfaqësuesit e firmës “Apollonia Investimens” gjatë prezantimit të projektit në Fier, në muajin nëntor të vitit të kaluar.
Ky proces parashikonte transformimin e mbeturinave urbane në një gaz të djegshëm të quajtur Syngas, gazi sintetik, që përbëhet nga monoksid karboni dhe hidrogjen, si dhe një masë e ngurtë që në terma teknik quhet char, material që mbetet pas avullimit të gazit të lehtë. Në vetvete kjo masë e ngurtë, pra char, është e djegshme 95% e masës së saj dhe mund të përfitohej energji termike e vazhdueshme. Sipas investitorëve, ky projekt nuk do të jepte impakt pozitiv vetëm në Fier, por në të gjithë rajonin, pasi kapaciteti i impiantit do të ishte 10 mijë tonë metrik. E.Hoxha