Parashikohet ndërtimi i Qendrës Operacionale të Kontrollit. Zbatimi i projektit do të zgjasë 18 muaj
Në muajin qershor nis zbatimi i projektit “Qendra e Kontrollit të Trafikut Urban”, fryt i një marrëveshjeje mes Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë “Sëarco Mizar” & “SCAE”. Projekti, zbatimi i së cilit pritet të zgjasë 18 muaj, parashikohet të vendosë e standarte të reja për menaxhimin e trafikut, por edhe për rritjen e sigurisë në rrugë. Marrëveshja është nënshkruar sot, mes Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe drejtuesve të kompanisë “Sëarco Mizar” & “SCAE”, Alexander Sëarovski dhe Alfredo Bolelli. “Ky sistem, në përfundim të tij do të jetë i barabartë në vlerat teknike, me sistemet që edhe qytete të tjera të Evropës, si Roma apo Viena kanë vënë në operim vetëm në 3-4 vitet e fundit. Menaxhimi në kohë reale, përmirësimi i fluksit të trafikut, përmirësimi i sigurisë, dhënia e përparësisë transportit publik do të jenë disa nga përfitimet e menjëhershme që qytetarët e Tiranës do të kenë nga ky projekt”,– ka theksuar kryebashkiaku Basha. Projekti parashikon ndërtimin e një Qendre Operacionale të Kontrollit në Tiranë, e cila do të mundësojë jo vetëm drejtimin e të gjithë pikave të kontrollit të trafikut nga një qendër e vetme, por edhe monitorimin 24 orë, fal vendosjes së 23 kamerave që do të përcjellin informacion në kohë reale. Po kështu, parashikohet pajisja me tru të ri elektronik e 51 nyjeve të trafikut në qytetin e Tiranës, të cilat do të kontrollohen nga Qendra Operacionale. Nëntë nyje të reja do të ndërtohen nga fillimi, sikundër do të vendosen edhe semaforët e rinj. Gjashtë pajisje elektronike të përditësuara (tabela të mëdha) do të njoftojnë drejtuesit e automjeteve, mbi kushtet aktuale të trafikut si dhe informacione të tjera të rëndësishme, në lëvizjen brenda qytetit të Tiranës, në hyrje të qytetit të Tiranës dhe në dalje të qytetit të Tiranës. Ndërkohë i pyetur nga gazetarët, kryebashkiaku Basha ka përjashtuar në mënyrë kategorike kalimin e policisë Rrugore nën varësinë e bashkisë së Tiranës. “Nuk ka absolutisht asnjë diskutim të hapur lidhur me këtë çështje. Policia Rrugore menaxhohet sipas ligjit nga Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake bashkëpunon ngushtë me të”, është shprehur Basha.
31 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)