Mbyllen 300 aplikime për kartën e studentit, pas universiteteve publike nisin edhe privatet
Lorina Mixha
Karta e studentit, një nga premtimet e kreut të bashkisë, Lulzim Basha, në fushatën elektorale, pas një viti po nis shumëfishimin. Janë rreth 300 studentët e parë që kanë aplikuar për marrjen e kësaj karte. Aplikimi bëhet në rektoratet e pesë universiteteve të Tiranës, por për pajisjen me këtë kartë mund të aplikohet edhe në zyrat e Bashkisë së Tiranës. Përveç shërbimeve të transportit dhe ulje çmimi për të ndjekur filmat në kinema apo shfaqjet në teatër, nga karta e studentit do të burojnë edhe të mira të tjera. Bashkia e kryeqytetit është në diskutime e sipër me bankat dhe kompanitë e telefonisë së lëvizshme, për t’u ofruar studentëve shqiptarë kredi të buta, por edhe komunikim me tarifa më të lira.
Pas studentëve të universiteteve publike ata që do të përfitojnë nga lehtësitë e kartës do të jenë edhe studentët në universitetet private. Pas mbylljes së komunikimeve me subjektet bankare dhe kompanive të telefonisë celulare, marrëveshja do të mbyllet me palët që ofrojnë kushtet më të mira.
Kreditë e buta për studentët do të jepen për një afat të gjatë, në vitet e para interesi do të jetë tepër i ulët ose nuk do të paguhet fare. Përqindja e interesit nuk do t’i kalojë 2 deri në 3 për qind të shumës së përfituar. Aktualisht në rastin e marrjes së një kredie të butë në bankë, ky interes shkon deri në 5 për qind. Kreditë studentore nuk do të kapin shifra tepër të larta, do të jenë kryesisht për studime apo për përballimin e kostove pasuniversitare, specializime apo trajtime brenda dhe jashtë vendit.
Për pajisjen me kartë, studentët mund të aplikojnë deri në fund të muajit korrik, atëherë kur përfundon edhe sezoni i provimeve, ose mund të ndjekin procedurat me nisjen e vitit të ri akademik.
Përmes kësaj karte, studentët do të kenë lehtësira në shërbimet e ndryshme publike dhe private që ofrohen në Tiranë, që nga bankat, telekomunikacioni, transporti, supermarketet, njësitë e shërbimit kulturor, kinematë, teatrot, sporti.
“Aktualisht, është drejt përmbylljes marrëveshja me bankat kryesore të kryeqytetit dhe me kompanitë celularë. Karta bashkiake e studentit është një premtim që kam bërë gjatë fushatës elektorale, për t’u ofruar studentëve të kryeqytetit lehtësira në shërbimet e ndryshme publike dhe private që ofrohen në qytetin tonë, që nga bankat, telekomunikacioni, transporti, supermarketet, njësitë e shërbimit kulturor, kinematë, teatrot apo sporti, një gamë e gjerë shërbimesh që do të ofrohen me kosto të reduktuar”, deklaroi kreu i bashkisë, Lulzim Basha. Sipas tij, qendrat e aplikimit janë në: Universitetin e Tiranës, Universitetin Bujqësor, Akademinë e Arteve, Akademinë e Sporteve, Universitetin Politeknik.
Rrjeti i të dhënave është bërë gati, strukturat e ngritura pranë rektorateve të pesë universiteteve bëjnë edhe konfirmimin e të gjithë aplikuesve, duke bërë verifikimin e të dhënave të studentëve pranë sekretarive të fakulteteve. Në një kohë të dytë aplikimi do të realizohet nga vetë sekretaritë e fakulteteve.