Kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Memaj ishte e ftuar sot në ‘Shqipëria Live’ ku foli për impaktin që shkrirja e bashkisë që ajo drejton do të ketë për qytetarët ne Dimalit.
Mema shprehu se problematika më e madhe për qytetartë do të jetë largësia, çështje për të cilën ajo tha se ka patur edhe debat me kryetarin e Komisionit për Reformën Territoriale, kolegun e saj socialist, Arbian Maznikun.
Intervista e plotë:
Juliana Memaj: E gjithë pjesa e stafit, por edhe komuniteti i Bashkisë Dimal, në fakt kishim pritshmëri të larta që ky projektligj të mos kalonte në Kuvend, sepse vetë evidencat flisnin pro ekzistencës së bashkisë sonë si bashki më vete, pasi rezultonte të ishte më efikase se njësia ankoruese.
Sidorela: E kuptoj që pritshmëritë tuaja ishin që të mos votohej. Pa dyshim, ju i keni renditur gjatë gjithë këtyre ditëve arsyet se pse nuk duhet të votohej. Megjithatë, tashmë është fakt. Kur nis ndryshimi, në gjykimin tuaj, dhe sa do të ketë bashkëpunim, qoftë me ju personalisht, por edhe me grupin me të cilin ju keni punuar deri tani, për të pasur një vijim pune normale dhe që ata qytetarë të mos mbeten të lënë pas dore, sepse bashkohen me një bashki më të madhe?
Juliana Memaj: Puna do të vijojë normalisht, pa asnjë ekses, por me përgjegjshmëri të plotë në punën time të përditshme. Gjithmonë i referohem zbatueshmërisë së ligjit dhe do të vijoj ta bëj atë deri në përfundim të mandatit, që korrespondon me fundin e korrikut të vitit 2027. Do të kalojmë sipas procedurave ligjore, sepse, siç dihet, në reforma të tilla kalohet në një periudhë dorëzimi në njësinë e re dhe aty koordinohen të gjitha buxhetet. Me vendimin e parë që do të ketë Bashkia e re, e dalë nga ky bashkim, do të integrohen të gjitha buxhetet e tri njësive që shkrihen në një bashki të re, Bashkia Berat, që ka një dimension më të madh, me një territor më të gjerë dhe me komunitetet e reja që i bashkëngjiten kësaj bashkie.
Sidorela: A keni ju një kërkesë?
Julian Memaj: Të zbatohet ligji.
Sidorela: Jo, e kuptoj shumë qartë. A keni ju një kërkesë drejtuar, po them, qoftë kryeministrit Edi Rama, për mënyrën se si duhet të vijojë puna normalisht, për të mos pasur ngërçe? Por, mbi të gjitha, do të isha kurioze edhe për vetë bashkinë. Çfarë duhet të bëjë në mënyrë që Dimali të ndihet i përfshirë?
Juliana Memaj: Nuk është nevoja që ne të bëjmë një kërkesë drejtuar kryeministrit për të vijuar këtë punë. Ky është një detyrim ligjor. Si Bashkia e Beratit, ashtu edhe Bashkia Dimal dhe Bashkia Poliçan do të vijojnë punën normalisht me buxhetet që do të miratohen në fund të vitit, në dhjetor të 2026-s. Do të vijojnë punën normalisht deri në momentin e përfundimit të zgjedhjeve lokale të vitit 2027. Në momentin që përfundojnë zgjedhjet e vitit 2027, do të bëhen dorëzimet e detyrës, referuar ligjit për pushtetin vendor apo akteve të tjera nënligjore që nxjerr qeveria apo Kuvendi i Shqipërisë për integrimin e këtyre njësive, si edhe ligjit për financat përkatëse, me gjithë dokumentacionin bashkëngjitur këtij procesi.
Ne kemi pasur edhe një praktikë të mëparshme, atë të reformës territoriale të 2015-s, dhe kemi qenë nga bashkitë pilot, Bashkia Dimal dhe ajo e Pogradecit. Kemi qenë dy bashkitë pilot që punuam me STAR-in atë kohë për të pasur një vijueshmëri shumë të saktë dhe praktika jonë është në këtë çështje.
Sidorela: Do të ketë punonjës të bashkisë të cilët do të preken në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ky ndryshim?
Juliana Memaj: Pa tjetër që do të ketë, sepse unë e thashë edhe në debatin që kishim me zotin Mazniku: edhe pse në media thuhet që nuk do të lëvizë administrata, pa tjetër që do të ketë shkrirje të strukturave. Minimalisht, strukturat drejtuese do të shkrihen, sepse nuk mund të kemi dy drejtorë arsimi, dy drejtorë urbanistike, dy drejtorë mbështetës. Ajo që është shkruar në projektligj është që bëhet shkrirja edhe për shkak të reduktimit të kostove të stafit, siç është shkruar në projektligjin apo relacionin shpjegues të tij, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.
Sidorela: Çfarë ndodh me qytetarët?
Juliana Memaj: Edhe unë e kam ngritur që ditën e parë, menjëherë me marrjen e vendimit nga mediat. Ishte shqetësimi që do të cenohej parimi i subsidiaritetit, të paktën për Bashkinë e Dimalit. Cenohet, ashtu siç gjithë legjislacioni apo evidencat dhe raportet e ekspertëve e kanë thënë. Edhe Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të vitit 2015, ka thënë se në rastet kur largohet distanca e qytetarit nga qendra e bashkisë, por edhe ulet eficienca, atëherë ka cenim.
Në rastin tonë, të gjithë treguesit tregojnë që do të ulet eficienca, sepse ne kemi një kosto më të ulët të stafit vendor në krahasim me Beratin. Ne kemi 10 lekë staf vendor, Berati i ka 13 lekë. Gjithashtu, kemi 38 për qind të buxhetit lokal të kryer në investime për banorët, ndërsa Berati i ka 7 për qind.
Të gjitha këto do të unifikohen në një buxhet tërësisht dhe kjo do të çojë në uljen e përqindjes së investimeve për Bashkinë Dimal. Edhe të tjera si këto do të ketë, që do të impaktojnë, në këtë këndvështrim, efikasitetin e ofrimit të shërbimit për komunitetin./TCH
