Buxheti
Rehabilitim rrugësh, kaldaja në shkolla, shtim i administratës, zgjerim i varrezave
Lorina Mixha
Parashikohen plot 80 milionë dollarë në “llogarinë” e pushtetit vendor të kryeqytetit. Financierët e bashkisë së kryeqytetit dhe ekspertët e sektorëve kryesorë kanë mbyllur parashikimet dhe projektbuxhetin për investimet, shpenzimet, projektet dhe rehabilitimet që do t’i duhen kryeqytetit për vitin 2013. Buxheti është më i madh se një vit më parë, dhe ndër elementet me më shumë rëndësi të këtij buxheti paraqiten disa projekte. Bëhet fjalë për rehabilitimin e lumit të Tiranës, zgjatimin e bulevardit, rehabilitimi dhe ndërtimi i varrezave, punësime të reja në radhët e administratës. Konkretisht në projektbuxhetin e bashkisë për vitin e ardhshëm parashikohen investime dhe rehabilitime të akseve kryesore rrugore, por edhe rrugëve dytësore.
Investime parashikohen në shkolla, në shumicën e rasteve për instalimin e sistemit të ngrohjes qendrore me kaldajë.
Në projektbuxhetin e vitit 2013 është parashikuar fond i veçantë për shpronësimet, rimbursimet e pronarëve për shkak të projekteve të bashkisë apo institucioneve të varësisë nga pushteti vendor.
Buxheti
Buxheti për vitin 2013 arrin shifrën e 80,8 mln $,nga të cilat:
Shpenzime korrente =52,8 mln $ =65,33 %, shpenzime kapitale =28 ,0 mln $=34,67%.
Element tjetër i të ardhurave të parashikuara për 2013, është edhe transferta e pakushtëzuar nga ana e buxhetit të shtetit. Në vitin 2012 ajo është afro 8.7 mln dollarë, ndërkohë që për 2013 parashikohet në shifrën 9.4 mln dollarë.
Investimet janë gjithashtu një tjetër element në PBA, pasi 62% e fondit të investimeve, shkon për objektet në vazhdim dhe 19% e këtij fondi shkon për investime të reja.
Risi
Nëpërmjet buxhetit dhe planit afatmesmes, sipas bashkisë së kryeqytetit, ky buxhet synon krijimin e bizneseve të reja dhe mbështetjes së tyre. Në këtë buxhet do të përfshihet për herë të parë një fond i posaçëm, në mbështetje të biznesit të vogël në kryeqytet. Ky fond do të shërbejë si një garanci për mikrokreditë dhe kreditë për biznesin e vogël, e kryesisht për bizneset e reja të drejtuara nga të rinj nën 35 vjeç.
“Programi buxhetor afatmesëm shoqërohet njëkohësisht dhe me paketën fiskale, e cila ka për qëllim promovimin e disa sektorëve të veçantë të ekonomisë në Tiranë, si dhe evidentimin e bizneseve që kanë ndikim negativ në mjedis dhe marrjen e masave fiskale për të zhbërë efektet negative të tyre. Më konkretisht, taksa e përkohshme për Lojërat e Fatit e miratuar në mbledhjen e kaluar të Këshillit Bashkiak dhe Taksa e përkohshme për ndikimin e antenave të telefonisë së lëvizshme”, sqarohet në dokumentin e projektbuxhetit të bashkisë për 2013-n.
Nga ana tjetër, këshilltari i majtë bashkiak, Genti Gazheli, ka deklaruar dje se: Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në parashikimin e 2012-s, janë 40% më të larta se fakti i vitit 2011.
Sipas tij, agresiviteti fiskal i treguar nga administrata tatimore bashkiake, e ka vënë biznesin në një situatë tepër të vështirë, deri në pikën e mbijetesës.
Taksa mbi biznesin e vogël, në 2011 ka sjellë të ardhura në masën 9.5 mln $, ndërkohë që në planin e 2012-s mendohet niveli i 15 mln $ të ardhura nga ky zë. Pra një rritje me 50%, e cila është tërësisht e pajustifikueshme në të mirat që i ofrohen biznesit të vogël. “Në thelb të gjithë kësaj vlere, të ardhurat nga biznesi i vogël, kanë një ecuri anormale, pasi nuk shpjegohet se ku mbështetet kjo pritshmëri kaq e lartë, përveç faktit që bashkia do të mund të tregojë agresivitet fiskal ndaj biznesit të vogël”, sqaroi Gazheli.
Investimet
Buxheti i bashkisë ndahet për:
- Shërbimet publike vendore
- Menaxhimi i rrugëve dhe transportit publik
- Arsimi parauniversitar dhe edukimi
- Kujdesi social
- Strehimi dhe planifikimi i territorit
- Zhvillimi ekonomik dhe punësimi
- Kultura dhe turizmi
- Zhvillimi i rinisë dhe sportit
- Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi
- Rendi dhe mbrojtja civile