Këtë të premte, Këshilli Bashkiak i Selenicës ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme, ku në qendër të diskutimeve ka qenë propozimi për bashkimin e kësaj bashkie me Vlorën.
I pranishëm në mbledhje ka qenë edhe kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, i cili ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj nismës. Gjatë mbledhjes, ai ka kërkuar që njësia vendore të vijojë e pavarur.
Bellajt ka theksuar se bashkimi me Vlorën mund të ndikojë në përfaqësimin e banorëve dhe në zhvillimin e zonës. Ai ka shtuar po ashtu se Selenica ka karakteristikat, territorin dhe nevojat e saj specifike që kërkojnë administrim të pavarur.
Kryebashkiaku ka deklaruar se do të vijojë të mbrojë qëndrimin e Bashkisë Selenicë dhe do të kundërshtojë projektin në çdo hap.
Sipas draftit të PS parashikohet: Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë.
Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon riorganizimin e hartës së pushtetit vendor dhe uljen e numrit të bashkive në 15 të tilla, nga 61 në 46. Në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas, të cilat do t’i bashkohen bashkive më të mëdha. Sipas propozimit, struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike në draftin e saj propozon rritjen e numrit të bashkive nga 61 qe janë aktualisht në 100 bashki. Drafti i PD parashikon ndarje me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone. Sipas demokratëve, shtimi i numrit të bashkive do të mundësojë ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët dhe një menaxhim më efikas të territorit.
