Ka përfunduar pas rreth 4 orësh e 30 minutash takimi i Kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive, i zhvilluar në Kuç të Vlorës.

Gjatë takimit, kryebashkiakët kanë paraqitur problematikat dhe sfidat me të cilat përballen njësitë vendore, ndërsa diskutimet janë përqendruar edhe te organizimi territorial dhe përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve.

Një nga çështjet kryesore të trajtuara ishte reforma territoriale, ecuria e saj ndër vite dhe nevoja për një administrim më efikas të bashkive.

Në takim raportohet se morën pjesë rreth 20 kryetarë bashkish, mes tyre drejtuesit e Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Beratit, Vlorës, Gjirokastrës, Klosit, Rrogozhinës dhe Dimalit.

Pjesë e diskutimeve ishin edhe bashkitë e vogla, disa prej të cilave kanë shprehur kundërshtimin ndaj planeve për riorganizimin territorial dhe mundësinë e shkrirjes së tyre.

Takimi vjen në kuadër të diskutimeve për mënyrën e organizimit të ardhshëm të pushtetit vendor dhe funksionimin më efikas të njësive vendore.