Bashkimi Europian çeli sot zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, vendi ynë sërish ka një rrugë të gjatë përpara anëtarësimit, nëpër disa procedura.

Faza e parë e negociatave përfshin një proces rigoroz shqyrtimi të legjislacionit të vendit kandidat për të parë se sa është në përputhje me ligjin e BE-së ose me acquis communautaire.

Acquis është i ndarë në 35 kapituj negociues, të grupuar në gjashtë grupe, që mbulojnë çdo aspekt legjislativ, të cilat të gjitha individualisht mund të mbyllen vetëm me votimin unanim të të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Negociatat fillojnë me hapjen e kapitujve “themelor”, çështje si gjyqësori dhe të drejtat themelore Negociatat e disa kapitujve mund të zhvillohen njëkohësisht.

Pasi të jenë mbyllur të gjithë kapitujt, Komisioni rekomandon vendet kandidate për anëtarësim dhe vendi nënshkruan Traktatin e Aderimit që specifikon një datë për anëtarësim, duke e bërë atë një “vend aderues”.

Traktati duhet të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian, i cili duhet të miratojë tekstin me shumicë absolute.

Sa kohë zgjat anëtarësimi?

Ritmi i negociatave varet nga shpejtësia e reformës dhe përafrimi me ligjet e BE-së në çdo vend dhe kohëzgjatja e tyre mund të ndryshojë. Komisioni Evropian përshkruan progresin e vendeve kandidate në raportet vjetore. Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ekzekutivi i BE-së tha në vlerësimin e vitit të kaluar të dy vendet ishin ‘mesatarisht të përgatitura’ në shumicën e gjashtë grupeve dhe kanë parë njëfarë progresi.

Realisht, mbyllja e kapitujve mund të zgjasë disa vite, siç ka ndodhur me Serbinë apo Malin e Zi. Çdo vend i BE-së mund të kundërshtojë mbylljen ose hapjen e kapitujve dhe Bullgaria i ka rezervuar vetes të drejtën për ta bërë këtë nëse protokolli dypalësh nuk zbatohet nga Maqedonia e Veriut.

Më të shpejtë për të negociuar pranimin ishin Austria, Finlanda dhe Suedia, (në pak më pak se dy vjet), ndërsa Kroacisë iu deshën pak më pak se tetë vjet nga fillimi i negociatave për t’u bërë anëtare e plotë e bllokut.