hetuesit kosoveNuk ka të dhëna për ecurinë e deritanishme të hetimeve ku përfshihet edhe Shqipëria


BE-ja tha se hetimet për dyshimet se luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë marrë dhe shitur organet e të burgosurve gjatë fundit të konfliktit të viteve 1990 do të përfundojë vitin e ardhshëm.


Kryeministri serb, Ivica Daçiç, tha se mori konfirmim se hetimet do të përfundojnë në vitin 2014 gjatë një takimi të enjten me kryeprokurorin e Task-Forcës së BE-së që po heton akuzat për trafikim organesh.


“Jemi të përkushtuar të vazhdojmë bashkëpunimin dhe të rrisim aktivitetet tona për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që morën pjesë në krimet monstruoze”, tha Daçiç.


Task-Forca Speciale e EULEX-it për hetimet është përgjegjëse për hetime të mëtejshme në dyshimet e përmendura në raportin e vitit 2010 nga Këshilli i Europës dhe raportuesi për të drejtat e njeriut në atë kohë, Dick Marty.


Raporti hodhi dyshime se disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ministri i tanishëm i Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi, kanë marrë dhe shitur organe të të burgosurve gjatë konfliktit të vitit 1999 me forcat serbe.


Prokurori i BE-së, Clint Williamson, nuk bëri asnjë koment për mediat, pasi u takua me Daçiçin, por qeveria serbe lëshoi një deklaratë ku tha se shumë persona janë marrë në pyetje nga Task-Forca.


“Deri më tani, ekipi i BE-së ka marrë në pyetje 100 dëshmitarë të mundshëm”, tha qeveria në një deklaratë.


Hetimet për trafikimin e organeve krijuan më shumë kontroversi vitin e shkuar kur një stacion televiziv serb transmetoi një intervistë me një anëtar të dyshuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që tha se kishte marrë organet e të burgosurve serbë në qytetin e Kukësit në Shqipëri, në vitin 1999.


Intervista në televizion u kritikua nga ekspertët ndërkombëtarë dhe vendorë, që thanë se mund të dëmtojë hetimet.