Propozimi


Në shtator, propozimi që i jep më shumë pushtet mbikëqyrës dhe ndërhyrës BQE-së


Komisioni Europian po përgatitet që të bëjë muajin e ardhshëm një propozim për dhënien të Bankës Qendrore Europiane të aftësisë mbikëqyrëse të të gjithë bankave më të mëdha të vendeve të Eurozonës.


Kjo do të thotë që shumë banka të mëdha të këtyre vendeve do të duhet që të jenë më transparente me organizmat e Brukselit dhe më llogaridhënëse me të gjitha operacionet e tyre financiare dhe transaksionet. Në Gjermani, bankat që pritet që të shndërrohen në banka të mbikëqyrura, sipas propozimit që do të bëhet muajin e ardhshëm, janë “Sparkassen” që është një bankë e madhe kursimesh dhe shumë e rëndësishme dhe e suksesshme, si dhe “Genossenschaftsbanken”, një bankë kooperativash me të cilën Gjermania shpresonte se do të përjashtohej nga lista e bankave të mësipërme. Sipas burimeve të afërta me Komisionin Europian bëhet fjalë për një propozim që pritet të bëhet më 11 shtator, ku kërkohet mbikëqyrja e përditshme e bankave më të mëdha dhe për sa i përket ndërhyrjeve në këto banka, ato do të kryhen vetëm kur Banka Qendrore Europiane do ta shohë të arsyeshme. Pra kur të shohë “rreziqe të qarta”.


Ndërsa jashtë vendeve të Eurozonës, bankat e këtyre vendeve do të mbikëqyren vetëm nga bankat qendrore, siç ndodh edhe aktualisht. Pra propozimi i mësipërm do të bëhet vetëm për bankat të cilat janë pjesë e vendeve të Eurozonës. Liderët e Bashkimit Europian kanë rënë dakord në fund të qershorit që të krijojnë një institucion unik supervizor në Europë, si një parakusht për t’u mundësuar fondeve të shpëtimit për Eurozonën derdhjen e parave kesh te huamarrësit e ndryshëm, pa i kaluar më parë këto para në qeveri. Kjo është praktika që ndiqet deri më tani. Kjo strategji e re po krijohet pikërisht për të anashkaluar qeverinë.