Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka njoftuar se Këshilli Evropian ka miratuar paketën e tretë për asistencën për Shqipërinë, me vlerë 21 milionë euro.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale Nufi shprehet se kjo është një mbështetje shumë e madhe për Forcat e Armatosura.

“Lajm i mirë nga BE!

Një tjetër mbështetje e rëndësishme për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi paketën e tretë të asistencës për Shqipërinë në kuadër të “European Peace Facility”, me vlerë 21 milionë euro, duke e çuar mbështetjen totale në 49 milionë euro”, shkruan Nufi.

Ai thekson se paketa përfshin mjete të blinduara të lehta, mjete taktike dhe inxhinierike, si edhe trajnim dhe mbështetje operacionale për FASh.

“Ky është një vlerësim konkret për seriozitetin, besueshmërinë dhe rolin aktiv të Shqipërisë krah aleatëve dhe partnerëve evropianë në siguri dhe mbrojtje”, përfundon ai.