Shqipëria po përshpejton tranzicionin e saj të gjelbër përmes fushatës së financuar nga BE-ja “Redukto, Ripërdor, Riciklo për një Shqipëri më të Gjelbër”, që nisi nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri këtë të enjte. Fushata zhvillohet teksa Shqipëria avancon në negociatat për Kapitullin 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike, një ndër kapitujt më kërkues teknikisht dhe financiarisht, por njëkohësisht edhe më transformues.
Ajo synon të informojë bizneset mbi detyrimet dhe mundësitë e tyre, të promovojë fondet e gjelbra të BE-së dhe të nxisë sektorin privat të përshtasë praktika më miqësore me mjedisin.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i ftoi të gjithë të bashkohen me fushatën.
“Tranzicioni i gjelbër qëndron në zemër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Nuk është opsional për Shqipërinë — apo për ndonjë vend tjetër. Nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësim në BE, por përfaqëson një mundësi të shkëlqyer për rritje të qëndrueshme dhe vende pune, po ashtu është thelbësor për mbrojtjen e shëndetit publik” – u shpreh Gonzato.
Zëvendësministrja e Mjedisit, Elda Xhumari, riafirmoi angazhimin e Qeverisë për të çuar përpara ekonominë rrethore dhe për të angazhuar sektorin privat si një nxitës kryesor i tranzicionit të gjelbër të Shqipërisë. “Qeveria shqiptare ka avancuar me një sërë reformash. Së bashku do ta ndërtojmë një Shqipëri më të pastër, më të zgjuar dhe më të qëndrueshme në përputhje me vizionin dhe me standardet e Bashkimit Evropian” – tha Xhumari.
Znj. Mirjana Matešić, Ambasadore e Paktit të Klimës së BE-së theksoi se si përafrimi i Shqipërisë me acquis të BE-së mund të përshpejtojë tranzicionin e saj të gjelbër dhe të forcojë qëndrueshmërinë ndaj ndikimeve klimatike. Hapja e fushatës u pasua edhe nga diskutimi “Climate Talk” mbi zgjidhjet e qëndrueshme klimatike.
Fushata, pjesë e projektit EU4GreenGen, ” shënon fillimin e një serie prej gjashtë fushatash që do të zhvillohen gjatë dy viteve të ardhshme, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë mbi nevojën për të mbrojtur mjedisin, për të siguruar menaxhim të duhur të mbetjeve dhe për të avancuar me ekonominë qarkulluese.
Në dekadën e fundit, BE ka investuar më shumë se 280 milionë euro në sektorët e mjedisit, ujërave dhe klimës në Shqipëri, donatori dhe partneri më i madh i vendit në këtë fushë.
