Bashkimi Evropian po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm të rregullave të tij të brendshme, ndërsa përgatitet për mundësinë e zgjerimit përtej 30 shteteve anëtare. Në qendër të reformës është reduktimi i rasteve kur një vend i vetëm mund të bllokojë vendimmarrjen, përfshirë disa etapa të procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të paraqesë javën e ardhshme planin, i cili synon t’i përshtatë institucionet evropiane me një Union më të madh.

Sipas draft-dokumenteve të brendshme të Komisionit të raportuara nga “Rapporteur”, Brukseli po shqyrton mundësinë që reforma të realizohet pa hapur procesin kompleks të ndryshimit të Traktatit të Lisbonës.

Një nga instrumentet që po diskutohet është aktivizimi i të ashtuquajturave “passerelle clauses”. Këto dispozita ekzistuese të traktateve lejojnë që, në fusha të caktuara, vendimet të mos kërkojnë më mbështetjen unanime të të gjitha shteteve, por të merren me shumicë të cilësuar.

Një ndryshim i tillë do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë edhe te procesi i zgjerimit dhe, rrjedhimisht, te vendet kandidate si Shqipëria. Synimi është që disa vendime të ndërmjetme gjatë negociatave të mos mund të bllokohen nga kundërshtimi i vetëm një apo disa shteteve anëtare.

Megjithatë, unanimiteti nuk do të zhdukej plotësisht nga procesi. Sipas propozimit, ai do të vazhdonte të ishte i nevojshëm në momentin e hapjes dhe në përfundim të procedurës së anëtarësimit.

Vetë kalimi drejt sistemit të ri paraqet gjithashtu një pengesë politike, pasi aktivizimi i klauzolave “passerelle” kërkon fillimisht miratimin unanim të vendeve anëtare.

Komisioni argumenton se mënyra aktuale e funksionimit mund të bëhet gjithnjë e më problematike me rritjen e numrit të anëtarëve të Unionit. Sa më shumë shtete të ulen në tryezën e vendimmarrjes, aq më e madhe konsiderohet mundësia e vonesave dhe bllokimeve.

Një sistem më i gjerë i votimit me shumicë të cilësuar mund të ndikonte jo vetëm te zgjerimi, por edhe në fusha të tjera. Në dokumente përmenden sanksionet, politika e sigurisë dhe mbrojtjes, të drejtat e njeriut dhe masat kundër evazionit fiskal.

Sipas skemës së propozuar, për miratimin e një vendimi do të nevojitej mbështetja e të paktën 15 shteteve, të cilat së bashku duhet të përfaqësojnë afërsisht dy të tretat e popullsisë së BE-së.

Në të njëjtën kohë, qeverive kombëtare mund t’u lihet një mekanizëm sigurie. I ashtuquajturi “emergency brake” do t’i mundësonte një shteti të kërkonte ndërhyrje kur vlerëson se një vendim cenon interesa jetike kombëtare.

Reforma mund të ketë rëndësi për vende si Shqipëria, Ukraina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, pasi synon të kufizojë mundësinë e bllokimeve politike gjatë etapave të ndërmjetme të negociatave.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm që po diskutohet lidhet me vetë Komisionin Evropian. Aktualisht çdo shtet anëtar ka një komisioner, por ruajtja e kësaj formule konsiderohet më e vështirë në një BE me mbi 30 anëtarë.

Drafti parashikon mundësinë që vetëm rreth dy të tretat e vendeve të kenë një përfaqësues në Komision në të njëjtën kohë. Nëse një formulë e tillë do të zbatohej në Unionin aktual me 27 anëtarë, nëntë shtete nuk do të kishin komisionerin e tyre gjatë një mandati të caktuar.

Kjo pikë pritet të jetë veçanërisht e ndjeshme për shtetet e vogla, të cilat tradicionalisht e konsiderojnë praninë e një komisioneri kombëtar si një element të rëndësishëm të përfaqësimit të tyre në institucionet evropiane.

Rregulla më të forta po diskutohen edhe për periudhën pas pranimit të anëtarëve të rinj.

Sipas dokumenteve, shtetet që do t’i bashkohen BE-së në të ardhmen mund të qëndrojnë nën një mekanizëm të posaçëm monitorimi për të paktën dhjetë vjet. Gjatë kësaj kohe, Brukseli do të kishte mundësi të ndërhynte në rast të problemeve serioze me standardet demokratike, sundimin e ligjit apo funksionimin e institucioneve.

Masat mund të shkonin nga kufizimet financiare deri te pezullimi i së drejtës së votës në Këshillin e BE-së.

Në diskutim është gjithashtu një angazhim i përkohshëm dhe ligjërisht detyrues për anëtarët e rinj, përmes të cilit ata do të zotoheshin të mos përdornin pozicionin e tyre për të penguar vendime të mbështetura nga pjesa tjetër e Unionit.

Paralelisht do të vazhdonin periudhat kalimtare që përdoren edhe sot për fusha të caktuara, si bujqësia, drejtësia dhe punët e brendshme.

Nëse propozimet avancojnë, ato do të përbënin një ndryshim të konsiderueshëm të mënyrës se si funksionon BE-ja përpara valës së ardhshme të zgjerimit. Megjithatë, disa prej elementeve kryesore kërkojnë dakordësinë e të gjitha shteteve anëtare, ndaj përmbajtja përfundimtare e reformës do të varet nga negociatat mes qeverive të Unionit.