Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, është shprehur se Shqipëria ka bërë hapa të suksesshme në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në BE. Komentet Kos i bëri gjatë fjalës së saj në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku tha se ky është një moment që çel një fazë të re të bisedimeve për zgjerimin dhe bën të mundur ecjen para të Shqipërisë në procesin e negociatave.
“Puna juaj e 10 viteve ka qenë e suksesshme. Janë hedhur hapa në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, ka frenuar ndërhyrjen e politikës në sistemin gjyqësor. SPAK ka vërtetuar se mund të japë rezultate dhe të bëhet institucioni më i besuar në Shqipëri. Ky është një themel i fortë për të punuar mbi të. Sot ne po vendosim me vetëbesim edhe termat përfundimtarë të rrugëtimit në BE-së.
Arritja e sotme çel një fazë të re të bisedimeve të zgjerimit dhe bën të mundur për Shqipërinë të ecë përpara me mbylljen e kapitujve. Ky është momenti për të kremtuar dhe intensifikuar punën. Ne vijojmë të mbështesim punën e Shqipërisë për mbylljen e negociatave në vitin 2027. Pritet progres i mëtejshëm. Mbetetemi te Shqipëria për të konsoliduar reformat dhe kjo duhet të përfshijë të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile në vend. Është koha të përmbushim pritshmëritë e shqiptarëve. Më shumë se 90 % e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE. Kremtoni arritjen dhe le t’i kthehemi menjëherë punës. Prej jush sa më shumë kapituj të mbyllen në rrugëtimin e anëtarësimit të Shqipërisë, aq më i suksesshëm do të jetë edhe bashkëpunimi me BE-në”, tha mes të tjerash Marta Kos.
