Me financim të Bashkimit Evropian, në 61 bashkitë në Shqipëri, në hapësirat e tyre publike, do të ketë Wireless falas.

Secila bashki ka caktuar një hapësirë publike qendrore si park, bibliotekë, shesh, shkolla apo vend kulturor  ku qytetarët dhe vizitorët së shpejti do të gëzojnë qasje falas në internet.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato tha se ky hap tregon  se plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, po jep rezultate.

“Ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë dhe aksesin, ka të bëjë me fuqizimin e komuniteteve, me rritjen e mundësive dhe integrimin e rajonit në Tregun Unik Digjital të BE-së. Ka të bëjë me përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe me mundësimin e qytetarëve të Shqipërisë dhe të rajonit që të ndiejnë përfitimet e integrimit në BE edhe para anëtarësimit”, tha Ambasadori Gonzato.

Edhe për ambasadorin gjerman në Shqipëri Karl Bergner, dixhitalizimi është një gur themeli i rritjes së qendrueshmërisë së Evropës.

“Gjermania mbetet një partnere e palëkundur e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit në BE dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, deklaroi Ambasadori Bergner.

WiFi4WB është pjesë e programit EU4Digital, me një kontribut të përgjithshëm të BE-së 15 milionë euro dhe bashkëfinancim nga Qeveria Gjermane 1.5 milionë euro, që parashikon të krijojë deri në 500 pika publike Wi-Fi në të gjithë rajonin deri pranverën e ardhshme.