Mjekët gjinekologë obstetër konfirmojnë se është rritur numri i bebeve që lindin premature, pa mbushur 37 javë në barkun e nënës.
Përllogariten gati 10 % e lindjeve, kur nenat lindin para kohe krijesën e tyre. Mjeku obstetër gjinekolog pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” rendit disa faktorë që çojnë në një lindje para kohe.
“Mosha e madhe e planifikimit të shtatzënisë, rritje e lindjeve binjake apo trinjake por edhe shtimi i konsumit të duhanit, alkoolit dhe substancave narkotike nga gratë dhe vajzat çojnë në një lindje para kohe”, është shprehur mjeku obstetër gjinekolog, Dr.Dritan Deçka.
Nenat tani po lindin bebe edhe 22-javësh dhe fatmirësisht në shërbimin e neonatologjisë në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” është rritur mbijetesa e bebeve premature. Por a shfaqin probleme gjatë rritjes këto bebe?
“Është rritur mbijetesa e tyre por duhet ndjekur në vazhdimësi”, tha Deçka.
Mjekësia ka evoluar dhe nuk ecën në kah të jetës por mjekët sugjerojnë çdo grua që kërkon të sjellë në jetë krijesën e saj të qëndroje në kontakt të vazhdueshëm me mjekun obstetër gjinekolog për të pasur një ecuri të mirë të shtatzënisë që shkon deri në 37 javë për një lindje normale.
