Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar me tone të ashpra pas dekretit të fundit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili caktoi datën e mbledhjes së seancës së parë plenare për legjislaturën e re, të njëmbëdhjetën me radhë.

Përmes një deklarate publike, Bardhi akuzoi Presidentin Begaj se nuk po vepron në përputhje me detyrën e tij si Kreu i Shtetit, por si “një ministër i Edi Ramës në Presidencë”.

“Shqipëria nuk ka President Republike, por një ministër të Ramës në Presidencë, që firmos çdo gjë që urdhëron Taulant Balla. Çfarë turpi, çfarë niveli mediokër”, u shpreh Bardhi, duke lënë të kuptohet se vendimet e Presidentit janë të diktuara nga mazhoranca socialiste.