Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të presidentit Bajram Begaj për të dekretuar 9 nëntorin si datën e zgjedhjeve të pjesshme lokale.

Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook, Bardhi shprehet se me vendimin e sotëm presidenti ka kryer një shkelje të rëndë të kushtetutës. Sipas Bardhit, zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës.

“Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama. Me shkeljen e rëndë që ka kryer sot ndaj Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka kryer një puç kushtetues sepse ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës.

Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës. Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues.

Askush në 35 vjet demokraci nuk e ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e Kreut të Shtetit. Arsyet janë tërësisht banale: Edi Rama ka marrë peng Bajram Begajn, dhe e komandon atë njëlloj si Diellën”, thotë Bardhi.