Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar të thirrur nga Presidenti Bajram Begaj, ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili ka zgjedhur ironinë për të komentuar takimin e zhvilluar sot. Bardhi e cilësoi mbledhjen në mënyrë ironike si “Këshilli i Sigurimit të Gysit”, duke iu referuar një prej personave që ai ka përmendur në denoncimet e tij të fundit.

“U mblodh Këshilli i Sigurimit të Gysit! 4 vartës të Gysit përballë dhe 4 përballë. Dhe në krye ishte kukulla, Presidenti i Gysit”, deklaroi Bardhi.

Ai e lidhi reagimin e tij me çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë e Presidentit për emërimin e saj në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Sipas Bardhit, Presidenti Begaj duhet të japë shpjegime për mënyrën se si u bë emërimi i Hysenit dhe se kush e kishte propozuar apo urdhëruar një vendimmarrje të tillë.

“Begaj ka përgjegjësi. Kush e urdhëroi që të emëronte në krye të SHISH Vlora Hysenin?”, tha Bardhi.