Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të ngritura nga opozita për presidentin e Republikës, Bajram Begaj, lidhur me aktivitetin e tij të dyshuar si mjek në një klinikë private. Sipas Berishës, një gjë e tillë është e papranueshme dhe përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës.

“Presidenti thotë se e bën vullnetarisht. Por ai e bën me lekë. I ka deklaruar? Urdhëroni or miq!”, u shpreh Berisha gjatë një deklarate për mediat. Ai shtoi se në asnjë shtet të botës nuk ndodh që kreu i shtetit të mbajë njëkohësisht edhe punë në sektorin privat për përfitim financiar.

Duke ironizuar situatën, Berisha tha se kjo e tejkalon edhe nocionin e “shtetit të Rrumit”, dhe akuzoi Presidentin për përdorim të postit në mënyrë të papërgjegjshme.

Reagimi i tij vjen pas njoftimit nga Partia Demokratike se ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit Begaj, me pretendimin se ka shkelur Kushtetutën duke ushtruar aktivitet profesional të ndaluar gjatë kohës që mban detyrën më të lartë në shtet.