Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj njoftimit të Presidentit Bajram Begaj për nisjen e konsultimeve me partitë politike lidhur me datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Bardhi e ka cilësuar këtë proces si një “teatër politik”, duke akuzuar kreun e shtetit se nuk po përmbush detyrimet e tij kushtetuese dhe se po vepron në favor të kryeministrit Edi Rama.
Në reagimin e tij, përfaqësuesi i PD-së shprehet se konsultimet janë të pavlera, pasi sipas tij, data e zgjedhjeve është paracaktuar nga kreu i qeverisë. Ai kritikoi gjithashtu Presidentin për qëndrimin ndaj kërkesave të qytetarëve për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Bardhi thekson se Presidenti duhet të luajë një rol më aktiv në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë, në vend që, sipas tij, të qëndrojë spektator përballë shqetësimeve të qytetarëve.
Në përfundim, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së e akuzoi Begajn se po i shërben pushtetit, në vend që të përfaqësojë dhe të mbrojë institucionin e Presidentit të Republikës.
“Sapo jam njohur me shkresën e Institucionit të Presidentit për thirrjen e konsultimeve lidhur me datën që Edi Rama ka paracaktuar për zgjedhjet e ardhshme vendore. E përbuz me neveri këtë teatër politik.
Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës.
Shqiptarët janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse Shqipëria do të kishte një President që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh.
Në vend që të heshtë përballë këtyre shqetësimeve, Presidenti duhet të ishte zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve. Por, në vend që të përmbushë këtë detyrim, ai zgjedh të mbetet në rolin e një spektatori, duke i shërbyer pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson”, shkruan Bardhi, teksa bashkangjitur ka postuar një foto të Edi Ramës dhe Bajram Begajt në Kuvend.
