Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i është drejtuar sërish kryeministrit Edi Rama, të cilin e bën përgjegjës për mosdhënien e një leje të veçantë për të bërë betimin.

Sipas Belerit, nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën për leje për të bërë betimin. Gjykata ka thënë që kjo leje është kompetencë e Drejtorit të IEV Penale ku ndodhem, shkruan Beleri në statusin e tij në “Facebook”.

“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në dy raste është shprehur jashtë afatit 24-orë të parashikuar në rregullore dhe në rastin e fundit nuk është shprehur fare, me qëllim që unë të mos ta ankimoj refuzimin në gjykatë. Dihet botërisht se IEVP Penale dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve janë nomenklaturë e Këshillit të Ministrave në Shqipëri dhe nuk janë «organe të pavarura të drejtësisë”.

Sipas tij, mos dhënia e lejes është kufizim i rëndë i të drejtave kushtetuese dhe i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit Rama kur thotë se po mban qëndrim autokratik dhe antiligjor, pasi nuk pranon dot “votën” e Himarës kundër tij në 14 maj.

Ndërkohë kujtojmë se kreu i qeverisë vazhdimisht është shprehur se çështja Beleri i takon vetëm drejtësisë. Gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se nuk ka asgjë për të diskutuar me palën greke në lidhje me këtë çështje dhe se pala greke nuk dëgjon asnjë koment por vetëm këmbëngul duke rënë ndesh me ligjet tona.

Fredi Beleri u arrestua në flagrancë para zgjedhjeve lokale të 14 majit dhe mbahet në burg nën akuzën për korrupsion në zgjedhje.