Gjykata në Bruksel vendosi se “asgjë nuk sugjeron që të dhënat e Sky ECC janë të pabesueshme” në çështjen që lidhet me vrasjen e Ardit Spahiut, e kryer më 27 nëntor 2020.

Juria bazoi vendimin në mesazhet e koduara të aplikacionit Sky ECC, të deshifruara nga policia në vitin 2021. Nga nëntë të pandehurit, gjashtë u shpallën fajtorë, ndërsa tre të tjerët u liruan nga akuzat.

Gjatë gjyqit u diskutua besueshmëria e të dhënave. Juria tha se “gjurmueshmëria e të dhënave nuk është absolute”, por nuk ka asgjë që e bën hipotezën e manipulimit të besueshme. Vëllimi i madh i mesazheve dhe sistemi shumështresor e bëjnë falsifikimin “jashtëzakonisht të pamundur”.

Gjykata theksoi gjithashtu se provat e Sky ECC u mbështetën nga elementë të tjerë, përfshirë pamjet nga kamerat ANPR dhe të dhënat e vendndodhjes nga telefonat e përdorur nga të pandehurit, duke forcuar kështu besueshmërinë e provave dixhitale. Hetimi për vrasjen zgjati katër vjet, ndërsa gjyqi u zhvillua për më shumë se një muaj, ku analizat telefonike ishin qendrore.

Mbrojtja, sidomos e të dyshuarit kryesor Franc Gergely, argumentoi se të dhënat e Sky ECC nuk ishin të besueshme dhe kërkoi qasje në skedarin burimor, kërkesë kjo që u refuzua nga gjykata.