Gjykata e Posaçme do të zhvillojë seancën gjyqësore më 22 nëntor, në orën 09:00, për të marrë në pyetje dhe verifikuar kushte të masës së sigurisë ndaj Belinda Ballukut, Gentian Gjylit dhe Erald Elezit. Të tre të pandehurit janë pjesë e procedimit penal nr. 136/2025 të SPAK-ut, që lidhet me procedurat e tenderave për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe të Tiranës, ku dyshohet se ata janë përfshirë në paracaktimin e kontraktorëve fitues.
Gjykata e Posaçme ka vendosur një ditë më parë masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun dhe i ka ndaluar daljen jashtë vendit. Ndërkaq, për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH-së, dhe Erald Elezin, administrator i KESH-it, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Njoftimi nga GJKKO
Ju njoftojmë se pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korruspionin dhe Krimin e Organizuar me datë 22.11.2025, ora 09:00 do të zhvillohet seanca gjyqësore për marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, në kuadër të procedimit penal nr. 136, të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.



