Investigimi i Fiks Fare ka arritur të shkojë deri në institucionet shtetërore, mes tyre edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, dikur nën drejtimin e Belinda Ballukut.

Gazetarja e Fiks Fare teksa bisedon me drejtorin Rrapush Tola, sërish për mundësinë e punësimit, ky i fundit zbulon se “Belinda Balluku ka vendosur Enea Karakaçin në krye të ministrisë”.

Ndër të tjera, drejtori i AKBN-së Genci Tërpon ka konfirmuar se ka takuar Belinda Ballukun në fund të muajit gusht. Gjatë bisedës, ai pranon “t’i përcjellë të fala”.

“Belinda Balluku e ka vënë Enea Karakaçin”

Investigimi vijon në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera. Gazetarja e Fiks Fare bisedon me drejtorin Rrapush Tola, sërish për mundësinë e punësimit.

Gjatë bisedës, Tola pretendon se Belinda Balluku ka vendosur Enea Karakaçin në krye të ministrisë dhe se një sinjal prej saj mund të ndikonte edhe në mundësinë e punësimit të gazetares. Një deklaratë që ngre një tjetër pikëpyetje: Nëse ministri aktual është në detyrë, përse një drejtues institucioni e lidh ende autoritetin e tij me ish-ministren?

Këshilltari i Ballukut ende në ministri

Fiksi vijon investigimin brenda vetë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Gazetarët kontaktojnë Flor Serjanin, ish-këshilltarin e Belinda Ballukut, i cili vijon të mbajë detyrë në ministri. Gjatë telefonatës, ai konfirmon se është ende në detyrë, ndërsa thotë se merret edhe me PR-in e Belinda Ballukut.

Më pas, në një takim të zhvilluar në ambientet e ministrisë, Serjani flet për drejtuesit e agjencive në varësi të MIE-së. Sipas tij, drejtuesit janë vendosur me ndërhyrjen apo sugjerimin e Belinda Ballukut. Ai përmend edhe drejtuesin e AKBN-së, duke thënë se Balluku e ka sugjeruar atë. Por dëshmia shkon edhe më tej. Serjani tregon se është takuar me Belinda Ballukun vetëm dy ditë përpara bisedës me gazetaren e Fiks Fare.

Drejtori i AKBN-së: “Do t’i çoj të fala”

Pas kësaj dëshmie, Fiks Fare kontakton Genci Tërpon, drejtorin e AKBN-së. Tërpo konfirmon se ka takuar Belinda Ballukun në fund të muajit gusht. Gjatë bisedës, ai pranon t’i përcjellë të fala dhe shprehet se do të shohë situatën për mundësinë e punësimit të gazetares. Edhe një tjetër drejtues institucioni, pra, e lidh vendimmarrjen me një person që zyrtarisht nuk e mban më postin e ministres.

Top Channel