Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, është paraqitur para Prokurorisë së Posaçme për Antikorrupsion (SPAK), ku ka qëndruar rreth dy orë si i dyshuar në një çështje që lidhet me shkelje të barazisë në tendera. Hetimi, që ka zgjatur më shumë se një vit, pritet të përfundojë dhe do të dërgohet në Gjykatën e Antikorrupsionit.
Sipas burimeve jozyrtare për mediat, SPAK dyshon se tenderi i vitit 2019, me vlerë afërsisht 700 mijë euro, i përket një projekti kërkimor në sektorin energjitik. Përveç kryebashkiakut, disa anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave janë marrë gjithashtu në hetim.
As SPAK dhe as vetë Benet Beci nuk kanë dhënë detaje mbi zhvillimet e fundit, dhe kryebashkiaku ka refuzuar të bëjë deklarata për median gjatë daljes nga Prokuroria. Procedimi penal ishte regjistruar në tetor të vitit 2024, ndërsa prokurori Dritan Prençi ka intensifikuar hetimet gjatë këtij viti.
Më herët, ai është pyetur nga prokurorët dhe ka dhënë shpjegimet lidhur me çështjen që po hetohet. Benet Beci ka mbajtur më parë detyrën e drejtorit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, si dhe për disa vite ka qenë drejtor i KESH-it, post nga i cili u largua në vitin 2021, kur kandidoi për deputet të Partisë Socialiste në Qarkun e Shkodrës.
Konkretisht, Beci akuzohet për tenderin me vlerë 700 mijë euro të vitit 2019, me objekt zhvillimi strategjik i sektorit energjitik (projekt kërkimor). Bashkë me Benet Becin, nën hetim për këtë tender janë marrë edhe disa zyrtarë të tjerë me rol në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave.
