Autoritetet greke kanë ndërmarrë një operacion të gjerë policor në Athinë, me qëllim shpërbërjen e një organizate kriminale të dyshuar për trafik armësh dhe lëndësh narkotike.
Operacioni u zhvillua që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, nën drejtimin e njësive hetimore të policisë së Athinës dhe me mbështetjen e forcave speciale.
Në aksion morën pjesë edhe forcat speciale OPKE dhe EKAM, të cilat asistuan në kontrollet dhe ndërhyrjet në disa zona të kryeqytetit grek.
Sipas autoriteteve, deri më tani janë arrestuar tetë persona, mes tyre shtatë burra me origjinë shqiptare dhe një grua me shtetësi greke, e cila dyshohet se kishte rol drejtues në grup.
Gjatë kontrolleve në banesa të ndryshme, policia ka sekuestruar sasi droge, kryesisht kokainë, si dhe një numër të konsiderueshëm fishekësh, që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e paligjshëm të grupit.
Hetimet po vijojnë në disa zona të Athinës, ndërsa autoritetet greke pritet të publikojnë një njoftim zyrtar me detaje të plota pas përfundimit të operacionit dhe analizimit të provave të sekuestruara.
Policia e Greqisë thekson se operacioni mbetet në zhvillim dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera në vijim.
